'Presioni dhe sanksionet të vazhdojnë'/ Merz: Çelësi për përfundimin e luftës në Ukrainë është në Moskë

Çelësi për përfundimin e luftës në Ukrainë qëndron në Moskë, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke përjashtuar “për momentin” mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin. Ai shprehu dyshime për gatishmërinë e Kremlinit për të rënë dakord për një armëpushim dhe negociata paqësore.

“Duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion dhe sanksione dhe t’i intensifikojmë aty ku është e mundur. Synojmë gjithashtu kanale diplomatike, dhe aktualisht po koordinohen bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe me Shtetet e Bashkuara dhe Europën. Jemi të informuar plotësisht për përgatitjet dhe përparimin e këtyre bisedimeve. Prandaj, për momentin nuk shoh nevojë të hapim kanale shtesë komunikimi”, deklaroi Merz gjatë një konference për shtyp së bashku me kryeministren e Lituanisë, Inga Ruginienė.

Ai paralajmëroi se “nëse Moska nuk është gati të përfundojë luftën, çmimi që do të paguajë, përfshirë kostot ekonomike, do të rritet javë pas jave dhe muaj pas muaji”. Kancelari gjithashtu kritikoi bombardimet e infrastrukturës jo ushtarake, veçanërisht energjetike, duke i cilësuar si krime lufte të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj. Të dy liderët nënvizuan se negociatat duhet të zhvillohen me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe respektimin e sovranitetit dhe vetëvendosjes së saj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për perspektivën e armëve bërthamore të përbashkëta europiane, Merz rikujtoi se Gjermania ka marrë angazhim për të mos pasur armë bërthamore të saj, por shtoi se diskutimet për një parandalim bërthamor të përbashkët me shtete të tjera europiane janë të mundshme dhe nuk janë në kundërshtim me përdorimin e armëve bërthamore së bashku me SHBA-në, por mund të jenë plotësuese, siç ndodh aktualisht me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministrja lituaneze Ruginienė theksoi nevojën që marrëdhënia transatlantike të mos dëmtohet, por njëkohësisht nënvizoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së Europës.

“E dimë që liria dhe prosperiteti nuk mund të merren si të mirëqena”, tha Merz, duke shprehur solidaritetin e Berlinit me Lituaninë, ku ndodhet edhe një brigadë e Bundeswehr-it. “Siguria e Lituanisë është edhe siguria jonë. Prania e Bundeswehr-it nuk është simbol politik, por kontribut ushtarak i Gjermanisë për parandalimin dhe mbrojtjen”, shtoi ai.

Ruginienė falënderoi kancelarin, duke vlerësuar “rolin udhëheqës që merr Gjermania dhe ai personalisht” dhe nënvizoi se Rusia mbetet kërcënimi më i madh, jo vetëm për shtetet lindore, por për gjithë Europën.