Mafia shqiptare mbush Gjermaninë me kanabis/ Media publike: Zbulohet plantacioni i dytë në pak ditë

Përsëri, policia e Turingisë në Gjermani ka zbuluar një të ashtuquajtur plantacion të brendshëm me bimë kanabisi – këtë herë në Rastenberg, në rrethin Sömmerda. Sërish dyshohet mafia shqiptare. Kështu raporton media publike gjermane, MDR

Për herë të dytë brenda disa ditësh, policia e Turingisë ka shkatërruar një plantacion të paligjshëm profesional për kultivimin e kanabisit. Edhe ky plantacion dyshohet se është ngritur nga mafia shqiptare.

Pas plantacionit në stallën e lopëve në Tastungen, në Eichsfeld javën e kaluar, autoritetet gjetën, sipas të dhënave të tyre, të martën në një shtëpi banimi të mbrojtur si monument në Rastenberg, në rrethin Sömmerda, një instalim kultivimi me qindra bimë, si dhe llamba, transformatorë dhe sisteme filtrimi. Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar, dhe të mërkurën, me kërkesë të prokurorisë së Erfurtit, është dërguar në paraburgim. Edhe në plantacionin në Eichsfeld ishte arrestuar një shqiptar, i cili gjithashtu ndodhet në paraburgim.

Degë e një bande droge nga Hessen

Kultivimi në Rastenberg duket se ishte një degë e një bande mafioze në Hesenin e Mesëm: sipas policisë lokale dhe prokurorisë së Marburgut, edhe në një shtëpi banimi në qytetin e vogël Biedenkopf ishte zbuluar një plantacion. Hetuesit nga Hesseni, sipas të dhënave të tyre, arrestuan pesë shqiptarë, të cilët gjithashtu u vendosën në paraburgim. Në të dy shtëpitë së bashku janë sekuestruar rreth 400 bimë marihuane, rreth 17 kilogramë lule marihuane të korrura dhe afërsisht 24,000 euro para të thata.

Bastisje në Rastenberg në orët e hershme të mëngjesit

Në Rastenberg, aksioni filloi në një pronë në Herrenstrasse në orën 6 të mëngjesit të së martës. Përveç oficerëve të Policisë Kriminale të Erfurtit, ishin të pranishëm edhe punonjës të Policisë Shtetërore të Turingisë. Ata përdorën, ndër të tjera, edhe një dron gjatë aksionit. Gjykata e Qarkut në Erfurt kishte lëshuar një urdhër gjyqësor për bastisjen.