Pas tragjedisë familjare, Gjesti rikthehet dhe ‘shpërthen’ me këngën që po përlot rrjetin

Pas një periudhe të vështirë personale, artisti i njohur Gjesti është rikthyer fuqishëm në skenën muzikore. Humbja tragjike e vëllait, e cila tronditi opinionin publik kohë më parë, e mbajti larg muzikës për disa kohë, por tani këngëtari ka vendosur të flasë përmes artit të tij.

“Memories” është titulli i projektit të ri muzikor, një këngë me ngarkesë të fortë emocionale, ku Gjesti shpreh hapur dhimbjen, mungesën dhe plagët e thella që i la kjo humbje në jetën e tij personale. Teksti dhe interpretimi përcjellin ndjesi të forta, duke reflektuar ngjarjet e fundit që kanë shënuar jetën e artistit.

Ky projekt nuk shënon vetëm rikthimin e Gjestit në muzikë, por edhe një formë terapie artistike, përmes së cilës ai përpiqet të përballojë emocionet dhe sfidat e muajve të fundit. “Memories” pritet të prekë thellë publikun dhe të konfirmojë edhe një herë lidhjen e fortë të artistit me fansat e tij.