Kongresi i 50-të i UEFA-s dhe shorti i Ligës së Kombeve më 12 shkurt në Bruksel

Brukseli do të jetë në qendër të vëmendjes së futbollit europian më 12 shkurt 2026, kur do të zhvillohet Kongresi i 50-të i zakonshëm i UEFA-s, një moment i rëndësishëm në jetën institucionale të organizmit më të lartë të futbollit në Evropë.

Punimet e Kongresit do të nisin në orën 10:00 dhe pritet të përfundojnë rreth orës 12:30.

Në përfundim të tij, do të mbahet një konferencë për shtyp me presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, ku do të diskutohen temat kryesore që lidhen me zhvillimet aktuale dhe të ardhshme të futbollit europian.

Axhenda e plotë e Kongresit është tashmë e disponueshme në faqen zyrtare të UEFA-s.

Po në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin ambient, duke filluar nga ora 18:00, do të zhvillohet edhe shorti i fazës së ligës të UEFA Nations League 2026/27, një nga kompeticionet më të rëndësishme për ekipet kombëtare në Evropë.

Ndërkohë, një ditë përpara Kongresit, më 11 shkurt, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mbajë mbledhjen e radhës po në Bruksel, ku pritet të diskutohen çështje kyçe për organizimin e garave dhe politikat e ardhshme të futbollit europian.