Shkencëtarët zbulojnë një metodë efektive për rikthimin e ndjenjës së nuhatjes pas Covid-19

Në Universitetin rus "Sechenov" po kryhen kërkime mbi suksesin e trajnimit që synon rikthimin e ndjenjës së nuhatjes tek pacientët me sindromën post-covid, për të cilën aktualisht nuk ka zgjidhje farmakologjike ose kirurgjikale, sipas shërbimit për shtyp të universitetit.

Një studim i publikuar në Researchgate.net thotë se trajnimi olfaktiv, i cili propozohet si një qasje rehabilitimi për rikuperimin dhe trajtimin pa ilaçe të shqisës së nuhatjes , mund të jetë i dobishëm për një sërë pacientësh, përfshirë ata me humbje të shqisës së nuhatjes pas infeksioneve. 

Aktualisht, ka një ndryshueshmëri të konsiderueshme në llojet e aromave të përdorura, si dhe në kohëzgjatjen dhe modelet e trajnimit nuhatës. Studimi i parë i kryer dhe i përshkruar me sukses i trajnimit të nuhatjes për trajtimin e pacientëve me humbje të ndjenjës së nuhatjes me etiologji të ndryshme zgjati 12 javë, dy herë në ditë, gjatë të cilave pacientët thithën katër substanca me aromë të izoluara nga vajrat esencialë (aroma: trëndafil, eukalipt, limon dhe karafil). 

Gjatë rehabilitimit, u përdorën substanca aromatike me përbërje të ndryshme - monokomponentë, aroma sintetike, vajra esencialë dhe substanca aromatike shtëpiake. 

Kohëzgjatja e trajnimit të nuhatjes varionte përkatësisht nga katër në 56 dhe 84 javë. Trajnimi ishte më efektiv në grupet e ekspozimit afatgjatë prej 20 deri në 56 javë. 

Duke zgjedhur komponentë të caktuar dhe duke respektuar kohëzgjatjen e trajnimit, kjo teknikë mund të përmirësojë cilësinë e pragut të ndjeshmërisë ndaj aromave dhe identifikimin e tyre, gjë që ka një ndikim pozitiv në shëndet dhe në shumë fusha të jetës njerëzore dhe mund të përdoret në rehabilitimin e shqisës së nuhatjes.

"Aktualisht nuk ka ilaçe ose procedura kirurgjikale për pacientët me humbje të shqisës së nuhatjes pas Covid-it. Trajnimi olfaktiv është e vetmja mënyrë për të rikthyer shqisën e nuhatjes dhe gamën e saj të pasur të perceptimit. Rezultatet paraprake tregojnë efektivitetin e trajnimit olfaktiv të kryer në klinikën tonë. Përmirësimi i shqisës së nuhatjes tek pacientët vërehet që pas seancës së shtatë, e cila është dukshëm më e shpejtë krahasuar me qasjen tradicionale", tha drejtori i Klinikës së Veshit, Hundës dhe Fytit të Universitetit Valery Svistushkin.