‘Lirimi i bandës 5D të Bashkisë së Tiranës’/ Këlliçi: Sot u varros me ceremoni një dosje, vendimi i dha dërrmën drejtësisë së re

Gjykata e Posaçme e Apelit zhbëri sot vendimin e Shkallës së Parë për 5 zyrtarët e Bashkisë Tiranë të arrestuar për dosjen 5D. Ndonëse Egrantina Zere dhe vartësit e saj të Tirana Parking u provua se kanë krijuar avantazhe dhe privilegje te pamerituara ne tenderat e shpërndarë, Apeli i GJKKO-së nuk e pa të udhës t’i mbante në qeli por kërkoi vetëm shërbim prove.

Kjo nxiti reagimin e deputetit demokrat Belind Këlliçi, i cili në një deklaratë për median, tha se sot u varros me ceremoni një dosje, dhe i dha dërrmën drejtësisë së re.

'Sot, Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin vendosi kapakun. Jo mbi krimin, jo! Por mbi drejtësinë. Mbi shpinën e dërrmuar të qytetarëve.

Drejtuesit e Bashkisë, përveç njërit, dolën nga salla jo si të penduar, por të larë, posi u rrëzuan edhe dënimet simbolike të shkallës së parë.

As burg. As kthim parash. As përgjegjësi.

Një dosje e varrosur me ceremoni nga një Drejtësi që sot prodhoi  një kukull fajësie, një Alqi Bllako të dytë, që i varën të gjithë peshën e një grabitjeje kolektive.

Të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, me përjashtim të Mariglen Qatos, u shpëtuan nga përgjegjësia penale' tha Këlliçi.

Këlliçi theksoi se skema 5D e Bashkisë së Tiranës - ku drejtorët e Bashkisë funksiononin si elemente të një grupi të strukturuar kriminal, me detyra të ndara, me firma të sinkronizuara për një qëllim të vetëm: zhvatjen 100% të parave publike -  e denoncuar nga ai në prill 2023 dhe e provuar nga SPAK nxiti protestat përpara Bashkisë për një parim themelor e universal: vjedhja e parave publike nuk mund të amnistohet dhe dëmi duhet t’u kthehet qytetarëve.

"Më 26 prill 2023 bëra publike për herë të parë skemën 5D të Bashkisë së Tiranës.

Ishte si të ngrije kapakun e një arkivoli institucional dhe të kuptoje jo vetëm korrupsionin, por edhe kalbëzimin shtetëror të organizuar.

Një linjë e padëgjuar vjedhjeje, ku drejtorët e Bashkisë funksiononin si elemente të një grupi të strukturuar kriminal, me detyra të ndara, me firma të sinkronizuara për një qëllim të vetëm: zhvatjen 100% të parave publike. Para publike të marra me tendera, me leje ndërtimi dhe me vulë shteti.

29 tendera, 30 milionë euro, 3 leje ndërtimi, të gjitha të futura në një ‘gojë’ të vetme, të hapur nga firma personale e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Menjëherë pas publikimit, depozitova kallëzimin penal në SPAK. Hetimi i Prokurorisë, nën drejtimin e prokurorit Klodian Braho, faktoi plotësisht denoncimin dhe çoi për gjykim të gjithë zinxhirin drejtues të Bashkisë  së Tiranës. Për 44 javë me radhë protestuam përpara Bashkisë për një parim themelor e universal: vjedhja e parave publike nuk mund të amnistohet dhe dëmi duhet t’u kthehet qytetarëve."

Por ashtu si me skandalin e inceneratorëve, ku janë zhvatur 200 milionë euro dhe fajin e mban një emër i vetëm, ndërsa sistemi u shpall i pafajshëm edhe në dosjen 5D të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë u shpëtuan nga përgjegjësia penale, me përjashtim të Mariglen Qatos.

Por çfarë do të thotë ky vendim?

E shpjegon deputeti demokrat

"Ky vendim nuk mbylli vetëm një çështje, por zyrtarizoi një doktrinë ku krimi firmoset në qetësi me një stilolaps dhe firma për shefin është jelek antiplumb penal.

Nga sot, çdo nëpunës e di se mund të vjedhë, mund të firmosë, mund të zhvasë, sepse mbi të ka një çati të sigurt pandëshkueshmërie. Bindja shpërblehet.

Edhe për më naivin, vendimi i sotëm gjyqësor i dha dërrmën drejtësisë së re. Sot u dërgua mesazhi më i rrezikshëm që mund të prodhojë një shtet, kapitullimi karshi krimit të veshur me kostum institucional. Gjyqtarët hoqën mantelin, morën çelësat e kasafortës, i dorëzuan tek dera e pushtetit, dhe sapo u thanë shqiptarëve:

‘Mos kërkoni më mbrojtje tek ne. Këtu ruhet vetëm krimi.’ Në mënyrë të veçantë krimi i organizuar dhe grupet e strukturuara kriminale'