Zelensky kërkoi anëtarësim të Ukrainës në BE deri në 2027, Luksemburgu: Kemi rregulla! S’mund të japë ultimatume
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel ka minimizuar perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027, një dëshirë që është shprehur vazhdimisht nga presidenti Volodymyr Zelensky.
Ministri theksoi se Zelensky nuk mund të japë ultimatume sepse nuk i shërbejnë interesit të tij. Ai tha se BE ka rregulla dhe se nuk mund të thonë që “ju lutem hyni në familje dhe për ju mbyllim sytë”.
“Sapo dëgjova që Presidenti Zelenskyy tha se ata duhet të jenë anëtarë vitin e ardhshëm. Më vjen keq. I thashë disa herë: mos jep ultimatume. Nuk është në interesin tënd. Fakti është se ka rregulla, kriteret e Kopenhagenit, dhe ne duhet t’i përmbushim ato. Nuk mund të themi se ka kritere për njërën dhe jo për tjetrën.
Për sa kohë që nuk respektohen kriteret e Kopenhagenit, nuk mund të themi: Ju lutem hyni në familje dhe për ju mbyllim sytë, për ju mbyllim veshët, për ju mbyllim gojën. Jo, na duhen rregulla dhe duhet t’i respektojmë ato.”, tha ai.
Zelensky tha më herët se “pranimi i Ukrainës në BE është një nga garancitë kryesore të sigurisë jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë Evropën”.
“Në fund të fundit, forca kolektive e Evropës është e mundur, në veçanti, falë kontributeve të Ukrainës në fushën e sigurisë, teknologjisë dhe ekonomisë. Kjo është arsyeja pse po flasim për një datë konkrete – vitin 2027 – dhe mbështetemi në mbështetjen e partnerëve për qëndrimin tonë”, u shpreh ai.