'Kuvendi, vegël e pushtetit', Zhupa: Mazhoranca po asgjëson parlamentarizmin, shkel të drejtat e opozitës
Deputetja e PD në Konferencën e Kryetarëve është shprehur se Kuvendi i Shqipërisë po degradohet qëllimisht nga mazhoranca, duke u shndërruar nga tempull i debatit dhe përfaqësimit në një noter politik të vendimeve të qeverisë. Zhupa akuzon mazhorancën se po zhvesh institucionin nga thelbi i parlamentarizmit, duke kthyer procesin ligjvënës në një formalitet bosh, pa transparencë, pa debat real dhe larg syve të qytetarëve.
Ajo theksoi se, ligjet miratohen në seanca absurde, me rend dite të pakuptueshme, ku projektligje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve kalohen pa vëmendje dhe pa informim publik, madje edhe në orët e para të mëngjesit.
Deputetja e PD ngre akuza të drejtpërdrejta për asgjësimin e të drejtave të opozitës, duke përmendur bllokimin e komisionit hetimor për fondet IPARD, mungesën e garancive për komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale, moszbatimin e rregullores për mandatin e Belinda Ballukut, si edhe manipulimin e qëllimshëm të rolit të Gjykatës Kushtetuese për të mbuluar interesa politike.
Zhupa shprehet se PD kërkon rikthimin e parlamentarizmit real, respektimin e rregullores dhe ndaljen e përdorimit të Kuvendit si vegël për të mbrojtur pushtetin dhe aferat e qeverisë.
Ina Zhupa:
Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë. Po e zhveshni institucionin nga thelbi i parlamentarizmit dhe edhe e keni kthyer procesin ligjvënës në një formalitet bosh.
Ju zhvilloni debate formale dhe miratoni ligje pa vëmendjen dhe pa informimin e qytetarëve. Kjo ndodh përmes seancave me rend dite të pakuptueshme dhe të pakonceptueshme, ku grumbullohen njëherësh projektligje me rëndësi të veçantë për jetën e përditshme të qytetarëve.
Është e papranueshme që ligje të rëndësishme, që prekin drejtpërdrejt interesin publik, të miratohen në orën 3 të mëngjesit. Ky qytetarët as nuk mund të ndjekin, as nuk mund të jenë më të informuar për ligjet që i prekin drejtpërdrejtë.
Kjo mënyrë funksionimi përbën një shkelje të rëndë të parimeve të transparencës, debatit dhe përfaqësimit demokratik, duke dëmtuar besimin e qytetarëve te Kuvendi dhe te institucionet.
Ju keni zhbërë parlamentarizmin sepse shkelni çdo të drejtë të opozitës. Nuk keni futur në votim komisionin hetimor per fondet ipard, nuk jepni garanci per procesin e dy komisioneve te reformes zgjedhore dhe territariale, nuk zbatoni rregulloren per mandatin e Belinda Ballukut. Shpikni nje lidhje mes gjykates kushtetuese dhe kuvendit qe nuk ekziston, aty eshte nje ceshtje per nje anetare te km dhe ketu per imunitetin e nje deputete.