Dosja '5D', Apeli i Posaçëm 'fal' zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, prapa hekurave vetëm Mariglan Qato

Nga Fatjon Gjinaj - Syri TV

Gjykata e Posaçme e Apeli zhbëri sot vendimin e Shkallës së Parë për 5 zyrtarët e Bashkisë Tiranë të arrestuar për dosjen 5d. Apeli i vendosi Eglantina Zeren, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha si dhe Kristo Zhulati në shërbim prove për një vit duke shpëtuar nga burgu zyrtarët. 

Zyrtarët e mësipërm u veçuan nga pjesa tjetër e grupit ku janë drejtorët e bashkisë së Tiranës. GJKKO kishte dënuar me 1 vit burg Eglantina Zeren, e cila për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 8 muaj heqje lirie, teksa Apeli vendosi që Zere të mos bëjë asnjë ditë burg duke e pezulluar dënimin dhe vënë në shërbim prove për një vit. 

Me nga 9 muaj u dënuan në Shkallën e Parë  edhe 4 të pandehurit e tjerë në këtë proces, të cilët gjithashtu përfituan ulje dënimi në 6 muaj heqje lirie mes të cilëve, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha si dhe Kristo Zhulati. 

Ata  u gjetën  fajtor për akuzën e "Shkeljes së barazisë në tendera".

Sipas hetimeve është provuar se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman stermasi. Në një tjetër proces gjyqësor është dënuar me 1 vit burg drejtoresha e ish klubit shumësportesh Tirana Debora Keçi, që iu ko vertua në 2 vite shërbim prove si dhe 8 ish zyrtarë të tjerë që akuzohen se abuzuan me një tendër për rikonkstruksionin e një palestre punimet e të cilës u realizuan nga shoqëria 5 d. 

Zyrtarët u morën të pandehur në kuadër të dosjes 5D, ku në gjyq janë edhe Redi Molla e Mariglen Qato, dy ish drejtor të Bashkisë së Tiranës. Ndërsa për drejtorët Redi Molla, Mariglen Qato e Taulat Tusha vijon gjykimi i ndarë me procedurë të zakonshëm. Nga këta zyrtarë, vetëm Mariglen Qato ndodhet prapa hekurave pasi dy të tjerët u dërguan në masa më të buta.