Do rrëmbenin një person/ Si u zbuluan plantacionet gjigante me kanabis të bandës shqiptare
Më shumë se 6.000 bimë kanabisi, shtatë të akuzuar dhe një rrëmbim i planifikuar: në Gjykatën e Qarkut në Dyseldorf të Gjermanisë po zhvillohet një proces gjyqësor kundër një bande të dyshuar droge. Banda akuzohet se ka operuar disa plantacione të mëdha kanabisi në Nordrhein-Westfalen.
Një bandë shqiptare droge dyshohet se ka mbjellë disa plantacione të mëdha kanabisi në Nordrhein-Westfalen. Hetuesit sekuestruan në maj të vitit të kaluar rreth 1.200 bimë kanabisi në Dormagen, rreth 4.600 në Lüdenscheid dhe 550 në Bad Salzuflen. Të mërkurën nisi në Gjykatën e Qarkut të Dyseldorfit procesi gjyqësor ndaj shtatë të pandehurve shqiptarë të moshës 21 deri në 51 vjeç.
Prokuroria i akuzon ata për kultivim në mënyrë komerciale dhe tregti droge në grup në sasi jo të vogla. Në seancën hapëse, mbrojtja njoftoi se klientët e saj do të japin deklarata.
Sipas aktakuzës, dy udhëheqës të bandës kishin marrë me qira prona dhe kishin rekrutuar pesë bashkëkombës që të kujdeseshin vazhdimisht për plantacionet. Ndihmësve, të moshës 21 deri në 34 vjeç, u ishte premtuar nga 10.000 euro për çdo korrje.
Rrëmbimi i planifikuar nxori në dritë aktivitetet
Plantacionet u zbuluan përmes një procedure tjetër penale, tha prokurorja Meike Beckmann. Bëhej fjalë për një rrëmbim të planifikuar në ambientet e krimit të drogës. Dy mercenarë letonezë, të akuzuar, duhej të rrëmbenin një burrë për llogari të një bosi aziatik të drogës. Ata ranë në sy të një patrulle policie dhe u arrestuan.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, në maj, hetuesit e narkotikëve ranë në gjurmët e shqiptarëve që tani janë të akuzuar. Ata u survejuan për javë të tëra. Më 6 maj të vitit të kaluar, hetuesit ndërhynë dhe zbuluan plantacionet. Në aksion u përfshinë edhe njësitë speciale të policisë (SEK). Bastisje u kryen në Bad Salzuflen, Dormagen, Herne, Lüdenscheid, Neuss dhe Oberhausen.
Konsumi mesatar i energjisë për plantacionet ilegale dyshohet të ketë qenë rreth dy milionë kilovat-orë në vit, që korrespondon me konsumin vjetor të rreth 400 familjeve. Energjia elektrike dyshohet se ishte marrë ilegalisht nga rrjeti.
Çdo korrje thuhet se jepte rreth 150 kilogramë kanabis. Për procesin gjyqësor janë planifikuar edhe shtatë ditë të tjera seancash deri më 23 mars.