'Nuk ka arsye të pritet Kushtetuesja'/ Korreshi: Balluku ka intimiduar dëshmitarët, SPAK ka shtuar akuzat

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, e ka cilësuar skandaloze shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në një intervistë për mediat, Korreshi u shpreh se një situatë e tillë “nuk ndodh në asnjë vend të botës” dhe kritikoi drejtuesit e Kuvendit për mënyrën si po trajtohet çështja. Ai deklaroi se nuk ka arsye që të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për të proceduar me kërkesën e SPAK.

Sipas tij, në shkresat e dërguara nga SPAK në Kuvend thuhet se nga hetimet e kryera rezulton se Balluku ka ndërhyrë për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur prova që lidhen me çështjen ndaj saj.

Korreshi rikujtoi ndryshimet ligjore të bëra në kohën e qeverisjes së PD-së për heqjen e imunitetit të pjesshëm të deputetëve, duke theksuar se aktualisht hetimet mund të nisin pa heqjen e imunitetit, por arrestimi kërkon miratimin e Kuvendit. Ai solli si precedent rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin u vendos masa e bllokimit të pasaportës dhe detyrimit për paraqitje.

Deputeti demokrat shtoi se, sipas kërkesës së fundit të SPAK, akuzat ndaj Ballukut janë shtuar nga dy në njëmbëdhjetë, ndërsa prokurori në Gjykatën Kushtetuese ka deklaruar se ajo është nën hetim për vepra më të rënda se ato të përmendura fillimisht.

Korreshi:

Kjo është skandaloze, jashtë kushteve, se nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kjo që ndodhi sot me Ballukun dhe gjatë gjithë kësaj kohe, se si e ka bërë Niko me shokë, se Niko është zari i Edi Ramës, më fal se po e them kështu. Është kryetar i Kuvendit, merr rolin e numrit dy. Rama i trajton si fshesaxhinjë, dhe të gjithë këta kështu e trajtojnë njëri-tjetrin.

Nuk ka lidhje që ata të presin Kushtetuesen. Në kohën e PD, është votuar heqja e imuniteti të pjesshëm, se më parë nuk niste as hetimi pa u hequr imuniteti, ndërsa tani po, por nuk mund të arrestohet pa i hequr imuniteti. U bë precedenti me Berishën me bllokimin e pasaportës, detyrim paraqitje.

Dhe për Ballukun, u bënë dy raste. Në momentet që Gjykata Kushtetuese pranoj padinë. Gjatë kësaj kohe, SPAK ka verifikuar dhe konstatuar sipas shkesave që na kanë dërguar ne, që ajo ka ndërhyrë në intimidim të dëshmitarëve dhe prishje të provave.

Fryma është shumë e keqe se ajo u rikthye në detyrë dhe ka intimiduar dëshmitarët dhe nga kërkesa që ka ardhur nga SPAK, ka ardhur me kërkesë e ndryshme që po shqyrton sot GJK, sepse thotë arrest me burg. Dhe Prokurori në Gjykatë Kushtetuese e tha që është nën hetim për vepra më të rënda se ato për të cilat kemi ardhur.

E dimë që pabarazia në tendera deri në 3 vite është. Janë shtuar 11 akuza në kërkesën për arrestim që na kanë ardhur nga SPAK, aga 2 që kanë qenë në fillim.