Përmbytjet/ Seferi: Dëmshpërblimi të jetë i drejtë dhe i bazuar në dëmin real. Duhen investime afatgjata
Përmbytjet e muajit janar kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në mbarë vendin, duke nxjerrë jashtë funksionit toka bujqësore dhe duke shkaktuar shkatërrime në ferma e banesa. I ftuar në studion e emisionit “Kush Paguan” në Syri TV, me moderatore Klaudia Karabolli, gazetari Leonard Seferi theksoi se situata duhet parë në dy procese të ndara, por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: kompensimi i të dëmtuarve dhe masat parandaluese për të ardhmen.
Sipas tij, procesi i dëmshpërblimit duhet të jetë i shpejtë, i drejtë dhe i bazuar mbi dëmin real të shkaktuar. Seferi kujtoi se ende ka familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019 që nuk e kanë përmbyllur plotësisht procesin e dëmshpërblimit, çka shton shqetësimin për mënyrën se si do të trajtohen rastet aktuale.
“Do të uroja shumë që qytetarët e prekur të dëmshpërblehen apo të ndihmohen me sa mundësi ka buxheti i shtetit, sa më shpejt dhe në formë të drejtë e të saktë, bazuar në dëmin që kanë pësuar dhe jo në referenca të tjera që mund të devijojnë qëllimin kryesor,” u shpreh ai.
Por, përtej dëmshpërblimeve, Seferi e konsideroi po aq të rëndësishme ndërhyrjen në infrastrukturë dhe menaxhimin e territorit për të parandaluar fatkeqësi të tjera në të ardhmen. Ai përmendi problematikat me shtretërit e lumenjve, rrëshqitjet e dherave në zona malore dhe dëmtimet në segmente rrugore të investuara së fundmi, si Rruga e Arbërit apo segmente në juglindje të vendit, që sipas tij kanë shfaqur probleme vetëm pak vite pas inaugurimit.
“Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që ajo që bëhet, të jetë e mirëllogaritur dhe afatgjatë, që ta kemi për shumë vite dhe jo të ndërtojmë diçka që dëmtohet pas dy apo tre vitesh,” theksoi ai.
Gazetari ngriti gjithashtu shqetësimin për çështjen e informalitetit në bujqësi. Ai u shpreh se nuk ka informacion të plotë nëse të gjithë fermerët e prekur janë të deklaruar dhe të licencuar, duke shtuar se mungesa e regjistrimit formal mund të krijojë vështirësi në procesin e kompensimit.
“Nëse dikush nuk është i deklaruar dhe pretendon për dëm, edhe pse ai mund të jetë real, por nuk është i regjistruar në shtet, atëherë lindin pikëpyetje për mënyrën se si do të trajtohet ky rast,” tha Seferi, duke nënvizuar se lufta ndaj informalitetit është një hap i domosdoshëm nëse vendi synon standarde më të afërta me Bashkimin Europian.
Sipas tij, vetëm përmes një sistemi të rregulluar, ku çdo aktivitet është i formalizuar dhe i dokumentuar, mund të sigurohet identifikim më i lehtë i dëmeve dhe një proces më transparent e efektiv dëmshpërblimi.
Seferi:
Në atë që ju përmendët, ndahen në dy procese. Pra, njëra është kjo e kompensimit të fermerëve dhe të individëve, qytetarëve të dëmtuar dhe pjesa tjetër në kanalizimin apo infrastrukturën për të ardhmen se si mund të parandalohet në raport me shtretërit e lumenjve apo edhe pjesën tjetër. Përsa i përket pjesës së parë, me keqardhje duhet thënë se ne jemi akoma në...disa familje që janë prekur nga tërmeti i 2019-ës, nuk kam përshtypjen që nuk është se është mbyllur totalisht gjithë procesi në raport me me këtë gjë dhedo të uroja shumë që këta qytetarë që janë prekur edhe në, në rastin konkret të, dëmshpërblehen apo në një formë të ndihmohen me sa mundësi mund të ketë buxheti i shtetit, sa më shpejt dhe në formë të, drejtë dhe të saktë, sepse kjo është shumë e rëndësishme, bazuar në dëmin që ka patur dhe jo në referenca të tjera të ndryshme, që mund të ndryshojnë ose të devijojnë në një formë qëllimin kryesor të kësaj.
Ndërsa për mua, jo më pak e rëndësishme se pjesa e dëmshpërblimeve të individëve, është edhe pjesa se çfarë duhet të bëhet për t'i prirë ose për të penguar ose për të ndihmuar në parandalimin e ndonjë fatkeqësie tjetër më të madhe që mund të jetë edhe në, në vitet e ardhshme. Qoftë në raport me përmbytjet, qoftë edhe në raport me me prishjen apo shembjen e dherave të maleve në, në segmente të ndryshëm, të cilët...
Të cilët ne jemi dëshmitarë që herë pas here i dëgjojmë nëpër media që kanë probleme, qoftë edhe segment të rrugës në juglindje që ka pothuajse rreth dy vjet apo një vit e pak që janë inauguruar. Rruga e Arbërit gjithashtu më qëlloi që të kaloja vetë pra dhe pashë, të gjitha ato që janë dëmtime, të cilat janë segmente apo investime publike të rëndësishme që nuk kanë kaluar as, as dy-tre vite pra.
Dhe në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që të bëhet diçka, ajo që të bëhet, të jetë e mirëllogaritur, e mirë, pra që ta kemi përshumë vite dhe jo të ndërtojmë...
Patjetër që institucionet janë ata të cilët do ta, do t'i bëjnë vlerësimin. Nuk e di, nuk kam shumë informacion në lidhje me, me deklarimin e të gjithë fermerëve, pra nëse të gjithë janë të deklaruar dhe të liçensuar, me numër përkatës...
Sepse edhe kjo është një problem tjetër. Pra nëse, në rast se dikush nuk është i deklaruar dhe pretendon për dëmin, i cili realisht është, mund të jetë edhe i dukshëm, por nuk është edhe i regjistruar në shtet, pastaj kjo gjë nuk e di se çfarë, se çfarë linje do të marrë, sepse edhe këtu hyjmë tek pjesa e informalitetit, gjë të cilën, në gjykimin tim, nëse duam t'aspirojmë për të qenë diku, afër vendeve për të cilat ne aspirojmë të jemi drejt Bashkimit Europian, duhet që gjithçka në një formë të sinkronizuar me njëra-tjetrën, gjithçka të marrë hapat e saj, duke filluar nga lufta ndaj informalitetit dhe të gjithë me radhë, derisa sa ne të vijmë në një pikë ku të jetë më e thjeshtë edhe identifikimi i dëmit, edhe dëmshpërblimi.