'Mos na çoni në spital', protestuesit iranianë trajtohen fshehurazi për t’i shpëtuar arrestimit

Situata në Iran mbetet alarmante, ndërsa protestat anti-qeveritare që kanë përfshirë vendin këtë muaj kanë shkaktuar qindra viktima dhe mijëra të plagosur. Shumë protestues po detyrohen të marrin trajtim mjekësor në fshehtësi për të shmangur arrestimin.

Sipas dëshmive të dhëna për BBC-në nga protestues dhe mjekë, forcat e sigurisë janë të pranishme edhe në spitale dhe monitorojnë vazhdimisht kartelat mjekësore për të identifikuar të plagosurit.

“Disa njerëz na ndihmuan dhe u futëm në një makinë… unë u thashë: ‘Mos na çoni në spital.’”, kështu e nis rrëfimin Tara, e cila bashkë me shoqen e saj po merrnin pjesë në një protestë në qytetin qendror iranian të Isfahanit kur forcat e sigurisë mbërritën me motoçikleta dhe filluan të bërtisnin ndaj turmës.

“Shoqja ime i tha një anëtari të armatosur të forcave të sigurisë: ‘Vetëm mos na qëlloni,’ dhe ai menjëherë qëlloi disa herë ndaj nesh. Ra mbi tokë. Të gjitha rrobat tona ishin të mbuluara me gjak,” tha ajo.

Dy gratë u futën në makinën e një të panjohuri, por Tara tha se ishin shumë të frikësuara për t’u paraqitur në spital për shkak të rrezikut të arrestimit: “Të gjitha rrugicat ishin plot me forca sigurie, kështu që kërkova nga një çift që qëndronte në derën e tyre të na lejonin të hynim.”

Ato qëndruan në shtëpinë e çiftit deri afër agimit dhe më pas arritën të gjenin një mjek që njihnin, i cili u pastroi plagët e shkaktuara nga fishekët e vegjël në këmbët e tyre.

Tara tha se një kirurg më vonë arriti t’i hiqte disa nga fishekët në shtëpi, por i paralajmëroi: “Nuk mund të hiqen të gjithë dhe do t’ju mbeten në trup.” BBC shkruan se emrat në këtë artikull janë ndryshuar për sigurinë e tyre.

Shkalla e plotë e gjakderdhjes që ka shkaktuar shtypja e protestave anti-qeveritare në Iran këtë muaj nuk dihet ende për shkak të bllokimit të internetit dhe ndalimit të raportimit nga shumica e organizatave ndërkombëtare të lajmeve.

Por Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA (HRANA) ka deklaruar se ka konfirmuar vdekjen e 6 mijë e 301 personave, përfshirë 5 mijë e 925 protestues, 112 fëmijë, 50 kalimtarë dhe 214 të lidhur me qeverinë. Po ashtu, po heton raportime për 17 mijë e 91 vdekje të tjera.

Sipas HRANA, të paktën edhe 11 mijë protestues kanë mbetur të plagosur rëndë.