Operacioni 'Rrjeti i Merimangës'/ Dronët ukrainas shkatërrojnë avionë ushtarakë me vlerë 1 miliard dollarë në sulme brenda Rusisë
Dronët ukrainasë kanë shkatërruar të paktën 15 avionë ushtarakë rusë në disa baza ajrore thellë pas vijave të frontit, në kuadër të një operacioni të sofistikuar të shërbimit sekret ukrainas (SBU), të njohur si Operacioni “Rrjeti i Merimangës”.
Pamje dramatike të publikuara në rrjete sociale tregojnë dronë që godasin me saktësi avionë luftarakë në pesë baza të ndryshme ushtarake ruse. Ukraina nuk ka bërë të ditur saktësisht se kur ndodhën sulmet, por burime brenda SBU konfirmojnë se operacioni u zhvillua më 1 qershor.
Sipas SBU-së, janë shkatërruar ose dëmtuar 11 avionë luftarakë Sukhoi dhe MiG, tre helikopterë (Mi-8, Mi-26 dhe Mi-28) si dhe një aeroplan transporti Antonov An-26, me një vlerë totale që tejkalon 1 miliard dollarë. Operacioni u krye nga njësia elitare “Alpha” e shërbimit sekret ukrainas.
Në mesin e avionëve të shkatërruar janë Su-30SM dhe Su-34 – avionë kyç të vijës së frontit rus – si dhe Su-27 dhe Su-24 më të vjetër, të përdorur për sulme ajrore kundër Ukrainës. Ukraina konfirmoi gjithashtu goditjen e interceptorëve MiG-31, të cilët Rusia i përdor shpesh për lëshimin e raketave hipersonike Kinzhal.
Përveç avionëve, janë shkatërruar edhe depo karburanti dhe municionesh. SBU tha se vetëm disa javë më parë, e njëjta njësi kishte neutralizuar sisteme ruse të mbrojtjes ajrore S-300, S-350 dhe S-400, si dhe radarë të avancuar, me vlerë rreth 4 miliardë dollarë.
Operacioni ishte vazhdimësi e misionit të vitit të kaluar “Rrjeti i Merimangës”, i mbikëqyrur personalisht nga presidenti Volodymyr Zelensky, ku qindra dronë FPV u futën kontrabandë në Rusi të fshehur në kontejnerë druri të maskuar si shtëpi modulare. Këta kontejnerë u transportuan nga shoferë civilë rusë të pavetëdijshëm dhe u pozicionuan pranë bazave ajrore strategjike.
Sipas burimeve ukrainase, operacioni shkatërroi rreth 34 për qind të flotës ruse të bombarduesve strategjikë me rreze të gjatë veprimi, përfshirë Tu-95 dhe Tu-22M3 me kapacitet bërthamor, avionë që nuk prodhohen më dhe nuk mund të zëvendësohen. Në total, thuhet se janë dëmtuar ose shkatërruar të paktën 41 bombardues.
Presidenti Zelensky e përshëndeti operacionin si “të përgatitur në mënyrë të përkryer”, duke shtuar se ai u drejtua nga një objekt pranë një zyre të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).
Megjithatë, pavarësisht këtyre goditjeve të rënda ndaj ushtrisë ruse, zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se tre javët e ardhshme do të jenë veçanërisht të vështira për popullsinë civile. Temperaturat pritet të zbresin nën -20 gradë Celsius, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike kanë lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje.
“Do të ketë ngrica dhe do të jetë e vështirë, por pas tre javësh situata pritet të përmirësohet”, deklaroi Andriy Gerus, kreu i Komitetit të Energjisë në parlamentin ukrainas.
Sulmet ruse ndaj termocentraleve, rrjetit të transmetimit dhe sektorit të gazit kanë dëmtuar rëndë sistemin energjetik të Ukrainës, i cili aktualisht mbulon vetëm rreth 60 për qind të nevojave të vendit këtë dimër, sipas presidentit Zelensky.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase paralajmërojnë për rrezikun e një “katastrofe humanitare” nëse sulmet ndaj infrastrukturës energjetike vazhdojnë, duke bërë thirrje për një armëpushim në këtë sektor jetik.