VIDEO/ Kaso: Mazhoranca po zvarrit qëllimisht kërkesën për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes pa afat të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritej të diskutohej kërkesa për heqjen e mandatit të ministres Belinda Balluku.

Kaso u shpreh për moderatoren Armela Ferko se, në orët e para të mëngjesit Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve se mbledhja e parashikuar për sot ishte shtyrë, pa dhënë asnjë arsye apo shkak. Ai theksoi se vetëm pas insistimit të deputetëve të opozitës është vënë në dispozicion urdhri përkatës për shtyrje, i cili, sipas tij, gjithashtu nuk përmbante asnjë motivim. Më vonë, Kuvendi ka bërë publik një komunikim tjetër, ku janë dhënë shkaqet e shtyrjes.

Ai rikujtoi se rregullorja e Kuvendit parashikon një afat maksimal tre mujor për shqyrtimin e kërkesave të tilla dhe se, nëse ky afat kalon pa një vendim, kërkesa e SPAK do të konsiderohej e rrëzuar. Sipas Kasos, ky do të ishte skenari më i rëndë, pasi do të përbënte një përplasje të hapur mes ekzekutivit dhe legjislativit, të cilin ai e cilësoi si ‘vasal të qeverisë Rama’, kundrejt organeve të drejtësisë.

Në fund, Kaso solli si shembull rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se në atë rast e gjithë procedura – nga njohja me kërkesën deri te përgatitja e mbrojtjes – u përmbyll brenda një seance dyorëshe. Sipas tij, ky standard i dyfishtë tregon qartë mënyrën e diferencuar se si trajtohen çështjet që prekin opozitën dhe ato që përfshijnë mazhorancën.

 

‘Atëherë është e vërtetë që ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit ka patur një komunikim zyrtar nga kuvendi, i cili njoftonte të gjithë deputetët, pjesëtarë të Këshillit të mandateve që mbledhja e sotme shtyhej pa asnjë arsye, pa asnjë shkak. Dhe më vonë, mbas kërkesës së deputetëve të opozitës i është vënë në dispozicion dhe urdhëri përkatës për shtyrje, i cili gjithashtu nuk përmbante asnjë arsye dhe asnjë shkak. Dhe më vonë, në komunikimin që kuvendi ndau me publikun ishin të bëra me dije shkaqet e shtyrjes.

Po, është e vërtetë. Pra, zvarritja ne shpresojmë ende që çështja e zvarritjes të jetë për t'i ofruar më shumë kohë Belinda Ballukut të përgatisë mbrojtjen e saj ose të manipulojë provat të cilat do ta çonin atë në mënyrë të pashmangshme drejt arrestit me burg. Pra i garanton kohë një të pandehure duke ju kundërvënë drejtësisë haptazi në këtë rast mazhoranca me qëllim që ajo të rregullojë dosjet e veta, çështjet e veta, jo të njihet me akuzat sepse me akuzat ka patur mjaftueshmërisht kohë për t'u njohur. Parashikohet në këtë rast që për shkak të parashikimeve në rregulloren e kuvendit, që ka një afat maksimal tre mujor brenda të cilit kuvendi shqyrton këto kërkesa dhe me kalimin e këtij afati tre mujor pa marrë një vendim kuvendi, atëherë kërkesa e SPA-ut do të konsiderohej e rrëzuar. Ne shpresojmë që ende të mos jemi te ky skenar, që do të ishte skenari më ogurzi, pasi do të ishte një kundërvënie e pastër në këtë rast e ekzekutivit dhe e asaj pjese të legjislativit që ka vendosur të sillet si vasal i ekzekutivit, i qeverisë Rama ndaj organeve të drejtësisë, në një akt të paprecedent për sa kohë Shqipëria është shkëputur nga e kaluara e saj e një shteti diktatorial komunist. Kujtojmë që raste të tjera analoge veçanërisht ato që kishin të bënin me drejtuesit e opozitës, kujtojmë këtu rastin

Po rasti i zotit Berisha. Zoti Berisha që nga ardhja e kërkesës. Kujtojmë kohën e nevojshme e deputetëve të Këshillit të mandateve për t'u njohur me kërkesën, kohën e nevojshme të deputetëve të zotit Berisha për të përgatitur mbrojtjen dhe gjithë u ezaurua gjithçka brenda një seance dy orëshe’, tha deputeti i PD-së, Ivi Kaso gjatë bisedës në SYRI TV.