Liria e shprehjes nën kërcënim, Bardhi: Koha për depenalizimin e shpifjes

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur alarmin për gjendjen e lirisë së shprehjes në Shqipëri, duke theksuar se standardet europiane dhe raportet e OSBE-ODIHR kërkojnë depenalizimin e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes.

Në një status në Facebook, Bardhi shkruan se dhjetëra gazetarë po përballen me ndjekje penale nga politikanë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë, një situatë që sipas tij përbën rrezik real për median, aktivistët dhe vetë demokracinë.

Sipas Bardhit, depenalizimin e shpifjes si vepër penale, e mbështet edhe opozita, në mbështetje të reformimit të rregullave civile për këtë shkelje sipas standardeve europiane.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhi:

Standardet europiane për lirinë e shprehjes dhe raportet e OSBE-ODIHR kërkojnë që Shqipëria të depenalizojë veprat penale të fyerjes dhe shpifjes, duke i konsideruar vetëm shkelje civile. Kjo masë është e rëndësishme për garantimin e lirisë së shprehjes, veçanërisht për median dhe aktivistët e shoqërisë civile.

Sot janë plot 77 gazetarë në Shqipëri që po përballen me akuza për shpifje nga politikanë apo ish-prokurorë/gjyqtarë të shkarkuar nga vettingu. Ky përbën një rrezik real për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.

Për këtë arsye, opozita mbështet depenalizimin e plotë të veprave penale të shpifjeve/fyerjeve, si dhe mbështesim reformimin e rregullave civile për këtë shkelje sipas standardeve europiane.