VIDEO/ Pamje shqetësuese nga ‘Camp Nou’, miu kapet nga kamerat para ndeshjes së Championsit
Barcelona vazhdon të jetë në qendër të kritikave për rinovimin e pafund të “Camp Nou”, një projekt që ka tejkaluar afatin me më shumë se një vit dhe që është ende larg stadiumit modern të premtuar.
Para përballjes së Ligës së Kampionëve ndaj FC Copenhagen, pamje shqetësuese nga stadiumi katalanas kanë bërë xhiron e botës.
Gjatë përgatitjeve për ndeshjen, ekipi i TNT Sports Mexico ishte i pranishëm në “Camp Nou” për transmetimin para ndeshjes.
Kamerat e tyre kapën një mi duke lëvizur lirshëm anash fushës, pamje që u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kthyen në objekt talljeje për tifozët rivalë, por edhe në burim shqetësimi për ata që pritet të ndjekin ndeshje në stadium.
When they said Hansi Flick was looking for a rat in the Barcelona dressing room...pic.twitter.com/ryySfnipMU
— Football España (@footballespana_) January 28, 2026
Ky incident vjen vetëm pak ditë pas një tjetër situate të turpshme.
Gjatë fitores 3-0 ndaj Real Oviedos, tifozët e Barcelonës u lagën plotësisht nga një rrebesh i fuqishëm shiu dhe breshëri, për shkak se çatia e stadiumit ende nuk është funksionale. Mes të prekurve ishte edhe vetë presidenti Joan Laporta, ndërsa çatia e re nuk pritet të përfundojë më herët se sezoni i ardhshëm.
Problemet nuk u kufizuan vetëm te tribunat. Disa gazetarë publikuan imazhe të hapësirave të punës të përmbytura, me tavolina dhe pajisje të pambuluara nga uji, duke ngritur pikëpyetje serioze për kushtet e punës dhe organizimin në stadium.
Pamjet e miut shtojnë shqetësime të reja për standardet e higjienës, sidomos në një ambient ku shërbehet ushqim dhe ku qarkullojnë mijëra tifozë.
Nuk është hera e parë që “Camp Nou” përballet me akuza të tilla.
Më herët, Konfederata Sindikale e Komisioneve të Punës (CCOO) ka protestuar jashtë stadiumit, duke denoncuar përdorimin e paligjshëm të punëtorëve migrantë nga kompanitë e ndërtimit të përfshira në projekt.
Në këtë kuadër, nënkontraktori Extrem Works, i angazhuar nga kompania kryesore Limak, është gjobitur me 1 milion euro për parregullsi në dokumentacionin e punëtorëve.
Po ashtu, gjatë fazave të para të rinovimit janë ngritur shqetësime serioze edhe për sigurinë e punëtorëve në kantierin e “Camp Nou”.
Rinovimi që duhej të ishte simbol i së ardhmes së Barcelonës, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një burim polemikash, skandalesh dhe pakënaqësish, duke vënë në diskutim imazhin e klubit katalanas në arenën ndërkombëtare.