Sterling prish para kohe kontratën me Chelsean, del lojtar i lirë
Rahim Sterling është zyrtarisht lojtar i lirë. Futbollisti i Kombëtares së Anglisë ka arritur marrëveshje me Chelsean për prishjen e parakohshme të kontratës, duke i dhënë fund aventurës së tij te “Blutë” e Londrës.
Sterling, i cili u la jashtë planeve të Chelseat në pjesën e parë të sezonit, kishte kontratë me klubin deri në verën e vitit 2027. Ai ishte blerja e parë e madhe e epokës Todd Boehly në vitin 2022, por pritshmëritë e larta nuk u përkthyen kurrë në stabilitet në fushë.
Pavarësisht një page marramendëse prej 325 mijë paundësh në javë, 30-vjeçari nuk regjistroi asnjë paraqitje me Chelsean këtë sezon.
Në sezonin e kaluar u huazua te Arsenali, por pa arritur të rikthejë formën e tij më të mirë. Ndeshja e fundit me fanellën blu daton në maj 2024, plot 619 ditë më parë.
Tashmë, Sterling është në kërkim të një aventure të re dhe ofertat nuk mungojnë.
West Ham ka shfaqur interes konkret nga Premier League, ndërsa nga jashtë Anglisë në garë janë futur edhe Bayern Munich dhe Napoli, klube që pritet të rifillojnë bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit.
E ardhmja e Rahim Sterling pritet të sqarohet në javët në vijim, ndërsa merkatoja mund të sjellë një rikthim surprizë të yllit anglez në skenën e madhe evropiane.