Merz: SHBA-të nuk duhet të vënë në dyshim marrëveshjen tregtare me BE-në
Bazat për ratifikimin e një marrëveshjeje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë vendosur, për aq kohë sa Uashingtoni respekton angazhimet e tij. Kështu deklaroi këtë të mërkurë kancelari gjerman Friedrich Merz.
Pas tërheqjes nga presidenti amerikan Donald Trump të kërcënimeve të reja për tarifa mbi importet nga BE-ja dhe pasi duket se u arrit një marrëveshje me NATO-n për Groenlandën, janë hedhur themelet për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2025.
“Megjithatë, SHBA-të nuk duhet të lejohen të vënë në dyshim se do t’u përmbahen angazhimeve të marra verën e kaluar”, tha kancelari gjatë një konference për shtyp, pas një takimi me homologun e tij rumun, citon Reuters.
Duke shtuar se ende duhet arritur një marrëveshje përfundimtare për aluminin dhe çelikun, Merz tha se SHBA-të duhet të kenë interes që marrëveshjet të mos minohen nga njoftime të përditshme që sugjerojnë se Uashingtoni mund të dëshirojë të veprojë ndryshe.
“Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë një përkeqësim të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Merz, duke shtuar se dëshiron që BE-ja ta ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen tregtare me Indinë, të arritur të martën.