Mbrojtja e Torinos në ‘alarm’, si përforcim shënjestrohet Marash Kumbulla
Te Torino situata në mbrojtje po kthehet në një problem serioz.
Me 40 gola të pësuar në 22 ndeshje, “granata” kanë repartin difensiv më të dobët në Serie A, një statistikë alarmante që ka shtyrë drejtuesit e klubit të veprojnë urgjentisht në merkato.
Për këtë arsye, Torino është vënë në kërkim të qendërmbrojtësve të rinj, të aftë për të forcuar prapavijën dhe për të garantuar më shumë siguri në pjesën e mbetur të sezonit.
Një nga emrat që po fiton gjithnjë e më shumë terren është Marash Kumbulla.
Qendërmbrojtësi shqiptar i Romës, i lindur në vitin 2000, shihet si një profil ideal për nevojat e Torinos.
Kumbulla e ka kaluar pjesën e parë të sezonit i huazuar te Mallorca, por e ardhmja e tij mund të marrë një drejtim tjetër në ditët e fundit të merkatos dimërore.
Interesimi për mbrojtësin shqiptar nuk mungon. Përveç Udineses dhe Espanyolit, edhe Torino është futur seriozisht në garë.
Drejtori sportiv Davide Petrachi është një admirues i hershëm i 25-vjeçarit dhe e konsideron atë një përforcim të rëndësishëm për repartin difensiv.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare, me Torinon që kërkon zgjidhje të shpejta për të ndalur rrjedhën negative dhe me Marash Kumbullën që mund të rikthehet sërish protagonist në Serie A.