‘Çështja Balluku’/ Logu: GJK dhe Kuvendi janë dy procese të ndara, vendimet nuk ndikojnë njëra-tjetrën

Juristi Marash Logu, i ftuar në emisionin ‘Task-Forcë’ në Syri TV me Sonila Meçon, ka deklaruar se shqyrtimi i çështjes së Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese dhe procedura parlamentare për heqjen e imunitetit janë dy procese të ndara dhe pa asnjë varësi nga njëra-tjetra.

Sipas tij, përpjekja për t’i lidhur këto dy zhvillime shërben si justifikim politik për zvarritjen e vendimmarrjes në Kuvend, duke krijuar një situatë që favorizon të pandehurën dhe bie ndesh me Kushtetutën, rregulloren parlamentare dhe Kodin e Procedurës Penale.

Marash Logu: Së pari tre gjëra Sonila që unë mendoj që janë të rëndësishme për t'i shpjeguar. Është e pavërtetë që deputetët apo anëtarët e Këshillit për rregulloren, mandatet dhe imunitetet i kanë, kanë kërkuar që të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Nuk po i referohem bisedave private që mund të bëjë një Niko Peleshi me Taulant Ballën apo me ndonjë eksponent tjetër të Partisë Socialiste, por në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nuk është shtyrë mbledhja, e parë që është zhvilluar, me pretendimin që presim vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa apo pretendimi për të shtyrë mbledhjen ka qenë që t'i japim kohë qoftë anëtarëve të këtij këshilli dhe qoftë edhe mbrojtjes, avokatit të të pandehurës Belinda Balluku, që të ketë mundësi të paraqesë mbrojtjen apo argumentet e tij në mbrojtje të Belinda Ballukut. Pra, së pari, ai njoftim që ka bërë sot Kuvendi i Shqipërisë apo kryetari i Kuvendit, është i pavërtetë, sepse nuk, nuk ka ndodhur që anëtarët të kenë kërkuar shtyrjen me qëllim që të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht këtu do vija. Pra, e dyta, shqyrtimi që po i bën, që po bën aktualisht Gjykata Kushtetuese kërkesës së kryeministrit për efekt cënimit të kompetencave, ka pretenduar ai, dhe kërkesa që po shqyrtohet aktualisht në parlament, nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk impaktojnë njëra-tjetrën, përveç se kanë të bëjnë me të njëjtin person, pra me të pandehurin Belinda Balluku. Në Gjykatën Kushtetuese po vlerësohet kushtetutshmëria e caktimit të masës së ndalimit, pezullim nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministrit të infrastrukturës dhe energjisë. Në kuvend po shqyrtohet kërkesa për heqjen e imunitetit me qëllim që eventualisht të vendoset masa e arrestit në shtëpi ose masa e arrestit në burg. Në të dyja rastet, cilado qoftë vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese apo e parlamentit, ato nuk kanë impakt tek njëra-tjetra, pra njëra nuk e zhbën tjetrën ose nuk i heq legjitimitetin.

Vetë fakti është që SPAK-u, qoftë përpara Këshillit për Rregulloren Mandateve dhe Imunitetin, ka konfirmuar që pasi kemi vendosur masën e pezullimit nga detyra, ka pasur veprime aktive të të pandehurës Belinda Balluku që ka ndërhyrë në hetim në formën e prishjes së provave, intimidimit të dëshmitarëve e kështu me radhë. Madje, përpara Gjykatës Kushtetuese, prokurorët e posaçëm konfirmuan që edhe pasi ju keni vendosur pezullimin e pezullimit, domethënë pezullimin e vendimit që pezullonte Belinda Ballukun nga detyra, ka pasur përpjekje apo veprime konkrete të cilat janë zbuluar nga ana e Prokurorisë së Posaçme me metoda speciale për të ndikuar drejtpërdrejt në hetim. Sigurisht që zgjedhja e kryetarit të parlamentit, qoftë shtyrja për një kohë kaq të gjatë, edhe sikur mbledhja të zhvillohej sot, do ishte dhe është në fakt tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe me rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Procedurës Penale. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja pse ne i jemi drejtuar me një kallëzim penal SPAK-ut kundër kryetarit të Kuvendit, për shkak se vlerësojmë që ai është në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe në qoftë se SPAK-u nuk arrin të mbrojë veten nga veprimet e paligjshme që po kryen Kuvendi, sigurisht që kjo nuk mund t'i kërkohet deputetëve të Partisë Demokratike apo opozitës. Pra, vetë SPAK-u e ka mundësinë, nëpërmjet kallëzimit që ne kemi depozituar për kryetarin e parlamentit, që të marrë masa, po themi, të ndërpresë këtë gjendje paligjshmërie që është duke prodhuar në vazhdimësi Niko Peleshi.

Ka dy risqe. Risku i parë është ajo që vetë prokurorët kanë theksuar dhe e kanë përsëritur, qoftë me shkrim, qoftë me gojë përpara anëtarëve të Këshillit për Rregulloren e Mandateve dhe Imunitetin, që ka të bëjë me faktin që e pandehura aktualisht për shkak të detyrave të saj ka mundësi dhe në fakt ka ndërhyrë në hetim nëpërmjet intimidimit të dëshmitarëve. Risku i dytë ka të bëjë sepse rregullorja e Kuvendit parashikon një afat tremujor nga data e dorëzimit të kërkesës. Duket që ka një tendencë për ta shtyrë deri në limitet kohore, derisa kërkesa, për efekt të ligjit, konsiderohet e rrëzuar. Kjo në fakt nuk do ta shpëtonte të pandehurën, sepse i jep mundësi SPAK-ut që të nesërmen e kalimit të afatit të paraqesë të njëjtën kërkesë.