VIDEO-SYRI TV/ Përkujtohet 90-vjetori i Ismail Kadaresë, Aliu: Përcolli Kosovën deri në fund të luftës
Letra që sfiduan diktaturën dhe fjala që kapërceu kufijtë u rikthyen në vëmendje përmes një ekspozite të çelur në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kushtuar Ismail Kadaresë në 90-vjetorin e lindjes. Aktiviteti u plotësua me promovimin, në Akademinë e Shkencave, të veprës ‘Kadare në kritikën botërore’, që pasqyron leximin dhe vlerësimin ndërkombëtar të veprës së shkrimtarit.
Nga SYRI TV
Në amshim, ama, i paharruar për lexuesin e përkorë që krijoi gjatë veprimtarisë artistike. Kadare do të festonte mes tyre 90-vjetorin, ndonëse fatkeqësisht tani sheh nga qiejt.
Në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u çel një ekspozitë e veçantë kushtuar Ismail Kadaresë në 90-vjetorin e lindjes, ku për herë të parë u prezantuan letërkëmbime të tij me personalitete të shquara botërore, si edhe botime të rralla nga fondi i ‘Shtëpisë Studio Kadare’. Mes materialeve më domethënëse Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali tha se janë letrat drejtuar ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush.
Ekspozita sjell gjithashtu në vëmendje dhjetëra shkrime dhe reflektime të Kadaresë kushtuar Kosovës, ndërsa Donika Gërvalla Ministre e Jashtme e Kosovës tha se më e rëndësishmja ishte thirrja e vazhdueshme për liri dhe pavarësi, që mbeti një prioritet i pandryshuar në gjithë veprimtarinë e tij krijuese dhe publike.
Studiuesi i veprës së Kadaresë Ali Aliu thekson se shkrimtari ka përcjellë me këmbëngulje gjendjen dramatike të Kosovës, duke e shoqëruar këtë angazhim intelektual deri në fund të luftës.
Ndërkohë, në Akademinë e Shkencave u promovua vepra në tre vëllime ‘Kadare në kritikën botërore’, një botim që përmbledh analiza dhe studime nga kritikë e studiues ndërkombëtarë, duke dëshmuar përmasën universale të veprës së shkrimtarit dhe vendin e tij në letërsinë botërore.