SYRI TV/ Debate në komisonin e turizmit për projektin TID, banorët: Projekti nuk është konsultuar
Është shoqëruar me debate mbledhja e Komisionit të Turizmit ku u thirrën në seancë dëgjimore banorët e prekur nga projekti TID në Durrës. Banorët kërkuan pezullimin e projektit dhe ribërjen e tij, ndërsa hodhën akuza se u shembën banesat e bizneset pa të drejtë dhe po dëbohen nga pronat e paligjshme. Ministria e Kulturës e justifikoi projektin me rritjen e turizmit në zonë, ndërsa AADF refuzoi të merrte pjesë në komision, çfarë u cilësua nga kryetarja Ina Zhupa si dëshmi e pastër e cënimit të interesit publik.
Syri TV
Projekti i rijetëzimit të qendrës historike të Durrësit, i njohur si TID, shkaktoi debate në komisonin e Kulturës dhe Turizimit, ku u zhvillua një seancë dëgjimore me banorët, pronarë të banesave që janë planifikuar të shemben për shkak të projektit. Në komision morën pjesë përfaqësues nga ministria e Kulturës dhe Bashkisë, ndërsa Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që ka marrë përsipër projektin refuzoi pjesëmarrjen. Kjo u cilësua nga kryetarja e komisionit Ina Zhupa, si dëshmi e qartë e cënimit të interesit publik.
Banorët e prekur nga projekti TID hodhën akuza se nuk ka pasur konsultime me ta për hartimin e projektit, ndërsa dëbohen nga pronat e tyre dhe cënohet trashëgimia 3 mijë vjeçare. Ata kërkojë pezullimin e projektit.
Përfaqësuesja e ministrisë së Kulturës, Esmeralda Demiraj tha se ky projekt do të sjell rritje të turizmit, dhe dyfishim të vlerave të pronës, por shmangu shqetësimin real të dëbimit të qytetarëve nga pronat e tyre të ligjshme. Ndërkohë topin për dëmshpërblimet, e hodhi tek bashkia e Durrësit.
Deputetët e opozitës në Komision, dolën në krah të banorëve të prekur, ndërsa hodhën akuza se po shkatërrohen trashëgimia kulturore.
Projekti TID është refuzuar dhe pritur me protesta nga banorët e prekur dhe qytetarët e Durrësit, të cilët hedhin akuza për shembje të padrejtë të banesave dhe bizneseve të tyre, në emër të zhvillimit të zonës. Ata i kanë kërkuar edhe Këshilli Bashkiak Durrësi të nisë hetimet për projektin dhe pasojat e tij.