Aksidenti ku humbën jetën 7 tifozë të PAOK-ut, Duka: Më e trishtë kur mësuam se ishte edhe një shqiptar
Bota e futbollit u trondit dje në Europë, pasi shtatë tifozë të PAOK-ut ndërruan jetë.
Ndër tifozët e përfshirë ishte edhe një shqiptar, i quajtur Vasil Palo, që kishte marrë rrugën nga Greqia për në Francë ku klubi grek përballet nesër me Lyonin.
Sot vjen edhe reagimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Armand Duka shpreh ngushëllimet për familjet e të ndjerëve, që ndërruan jetë në Rumani.
Reagimi i Dukës:
“Ata po udhëtonin drejt Francës për pasionin, dashurinë ndaj skuadrës së tyre të zemrës dhe futbollit.
Futbolli bashkon, por sot fatkeqësisht na bashkon dhimbja. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe që na lë pa fjalë. E bëhet edhe më e trishtë kur mësuam se mes viktimave ishte edhe një tifoz shqiptar, Vasil Palo, të cilin do ta kujtojmë me respekt të veçantë.
Mendimet e lutjet tona sot janë me familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Rumani, me familjen e Vasilit, me skuadrën e PAOK-ut dhe futbollin grek.
U prehshin në paqe!”