Zbulohet rafineri kokaine në banesën e një shqiptari në Firence, 4 persona në pranga

Karabinierët e Kompanisë së Empolit kanë zbuluar dhe shkatërruar një rafineri kokaine në zonën e Fucecchio-s, në provincën e Firences. Operacioni antidrogë çoi në arrestimin e katër personave, mes tyre një shtetas shqiptar i datëlindjes 1972, si dhe tre shtetas kolumbianë të datëlindjeve 1967, 1968 e 2003.

Sipas informacioneve fillestare, gazetarja Alba Kepi raporton se forcat e rendit vunë re lëvizje të dyshimta pranë banesës së shqiptarit dhe vendosën të kryenin një kontroll.

Në ambiente pas shtëpisë u zbulua një rafineri e vërtetë kokaine, ku u sekuestruan 34 kilogramë drogë, si dhe pajisje të shumta për përpunimin dhe paketimin e saj. Në banesë u gjetën lëndë përzierëse për të përpunuar dozat e kokainës, si dhe instrumente për laborator të vërtetë droge.

Sasia e sekuestruar, sipas autoriteteve, do të sillte mbi 700 mijë euro fitim në tregun e drogës. Të arrestuarit u dërguan në burgun e Firences-Solliçiano me masën e paraburgimit.