Itali/ Meloni viziton Sicilinë pas ciklonit Harry, shpallet gjendja e emergjencës
Nga Alba Kepi
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, vizitoi sot Sicilinë për të inspektuar me helikopter zonat më të prekura nga vala e jashtëzakonshme e motit të keq që goditi rajonin ditët e fundit, pas kalimit të ciklonit Harry.
Meloni mbërriti në Niscemi, në provincën e Caltanissetta, ku një rrëshqitje e madhe dhe ende aktive e dheut po kërcënon qendrën e qytetit, duke detyruar deri tani evakuimin e rreth 1,500 banorëve. Kryeministrja takoi Kryetarin e Bashkisë, Massimiliano Conti, dhe mbajti një takim pune me Prefektin e Caltanissetta, Shefin e Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano, si dhe ekspertë të mbrojtjes civile.
Gjatë takimit u bë një përmbledhje e situatës së emergjencës dhe u konfirmua angazhimi maksimal i Qeverisë dhe institucioneve përkatëse për të asistuar të evakuuarit. Për ta, është parashikuar ndihma për strehim të përkohshëm, rikuperimi i infrastrukturës rrugore, rifillimi i aktivitetit shkollor dhe restaurimi i furnizimit me gaz dhe energji elektrike. Situatën e komplikon fakti se, për sa kohë rrëshqitja e dheut mbetet aktive, është e vështirë të përcaktohet saktësisht zona ku duhet ndërhyrë dhe mënyra e veprimit.
Kryeministrja Meloni siguroi Kryetarin Conti se Qeveria do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të vitit 1997, veçanërisht për sa i përket vonesave në kompensime. Qeveria do të veprojë shpejt dhe Meloni caktoi një takim të ri brenda rreth dy javësh për të marrë vendime më të detajuara, bazuar në informacionet e nevojshme. Ajo gjithashtu falënderoi deputetin Angelo Bonelli, i pranishëm në Niscemi, me të cilin diskutoi mbi emergjencën e rëndë.
Më pas, Kryeministrja vizitoi zyrën e Kapitanerisë së Portit të Kataniës, ku mbajti një takim me pjesëmarrjen e Ministrit për Mbrojtjen Civile, Nello Musumeci; Kryetarit të Rajonit Sicilian, Renato Schifani; Shefit të Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano; kryetarëve të bashkive të Kataniës, Messinës dhe Sirakusës; si dhe Prefektëve të këtyre qyteteve.
U riafirmua angazhimi maksimal i Qeverisë për emergjencën që po godet Sicilinë, Sardenjën dhe Kalabrinë. Shpallja e gjendjes së emergjencës nga Këshilli i Ministrave, me një fond fillestar prej 100 milionë eurosh, përfaqëson vetëm përgjigjen e parë ndaj zonave të prekura, në pritje të një vlerësimi më të saktë të situatës dhe të dëmëve të shkaktuara. Qeveria po punon për hartimin e një draftligji për rikuperimin e plotë të rajoneve të prekura.