Paquetá kthehet në shtëpi, Flamengo gjen marrëveshjen me West Ham-in për 42 milionë euro

Lucas Paquetá është gati të lërë Premier League-n për t’u rikthyer në Brazil, aty ku nisi karrierën e tij, te Flamengo. Sipas ESPN, West Ham ka pranuar ofertën e klubit brazilian prej 42 milionë eurosh, shumë që do të paguhet në 24 këste mujore, pa bonuse të lidhura me performancën e lojtarit.

Flamengo po punon që formula e pagesës të mos rrezikojë stabilitetin financiar të klubit. Burime pranë negociatave kanë theksuar se drejtuesit nuk duan të cenojnë buxhetin e muajve të ardhshëm dhe synojnë një marrëveshje të përgjegjshme, që garanton aftësinë reale për të shlyer shumën edhe në rast vështirësish ekonomike.

Fillimisht, klubi ‘carioca’ kishte menduar të paguante rreth 30 milionë paundë (afërsisht 35 milionë euro) menjëherë, ndërsa pjesën e mbetur me këste, por presidenti Luiz Eduardo Baptista po shqyrton tani një plan amortizimi më afatgjatë. Kjo do t’i lejonte Flamengos të ruante fonde për përforcime të tjera gjatë sezonit.

Nga ana e Paquetás ka vullnet të plotë për t’u kthyer në Brazil brenda fundit të muajit. Kushtet personale janë rënë dakord prej kohësh, me mesfushorin brazilian që pritet të firmosë një kontratë deri më 31 dhjetor 2029, duke mbyllur kështu aventurën e tij në Angli dhe duke nisur një kapitull të ri “në shtëpi”.