Një president i plotfuqishëm i Evropës? Shefi konservator bën thirrje për bashkimin e BE-së
Postet e presidentit të Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian duhet të bashkohen, në mënyrë që BE-ja të mund të flasë me një zë në skenën globale, tha të mërkurën kreu i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber .
Reformimi i strukturës udhëheqëse të BE-së në një mënyrë të tillë nuk do të kishte nevojë për ndryshime në traktatet e bllokut, argumentoi Weber në një aktivitet për udhëheqësit e biznesit në Bruksel; kjo thjesht do të thoshte t'i jepej një personi të dy punët. Ai tha se kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme të BE-së, në vitin 2029.
“Jemi të bllokuar, jemi pa fjalë, pa zë, nuk kemi të drejtë fjale në skenën globale dhe kjo duhet të ndalet”, tha Weber, presidenti i familjes më të madhe politike të Evropës.
Presidentja e Komisionit Evropian (aktualisht Ursula von der Leyen) drejton krahun ekzekutiv të bllokut, i cili ka pushtet mbi tregtinë, bujqësinë, tregun e vetëm dhe fusha të tjera të politikës së brendshme - megjithëse çështjet e jashtme trajtohen nga diplomatja më e lartë e BE-së (Kaja Kallas) dhe presidenti i Këshillit Evropian (António Costa), të dy duke raportuar drejtpërdrejt te vendet e BE-së.
Kjo ndarje e fragmentuar e pushtetit nuk është “në lartësinë e detyrës”, në një kohë pasigurie gjeopolitike, tha Weber, me administratën amerikane të Donald Trump që po e përmbys rendin ndërkombëtar.
I pyetur nga POLITICO nëse do të ishte në garë për një rol të ardhshëm “presidenti të Evropës”, Weber nuk pranoi ta përjashtonte këtë mundësi, duke thënë: “Nuk dua të përgjigjem.”
Ai më vonë shtoi se “e ardhmja e këtyre çështjeve është në duart e strukturës së partisë dhe në duart e qytetarëve të Evropës”.
Weber ka udhëhequr PPE-në në Parlamentin Europian që nga viti 2014 dhe në vitin 2019 bëri fushatë për postin e presidentit të Komisionit Europian, por udhëheqësit e BE-së zgjodhën von der Leyen, atëherë ministre e mbrojtjes e Gjermanisë.
Në fjalimin e tij, Weber tha gjithashtu se vendet e BE-së duhet të kalojnë në votim me shumicë të kualifikuar për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në vend të votimit me unanimitet.
Kjo ide është hedhur në qarkullim prej vitesh, por disa udhëheqës qeveritarë janë fuqimisht kundër integrimit të mëtejshëm evropian, përfshirë Viktor Orbán të Hungarisë dhe Robert Fico të Sllovakisë.
Nëse një reformë e tillë nuk është e mundur, pasi do të kërkonte mbështetjen e të gjithë anëtarëve aktualë, ato vende që janë të gatshme të çojnë përpara integrimin "duhet të ecin përpara me një traktat të veçantë sovraniteti" mbi politikën e jashtme, tha Weber./ Politico.