Zyrtare/ Tyson Fury rikthehet në ring më 11 prill, sfidon boksierin rus

Tyson Fury ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e tij në ring pas një pauze prej 15 muajsh. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda do të ngjitet sërish në ring më 11 prill, ku do të përballet me boksierin rus, Aslanbek Makhmudov.

Detajet mbi vendin se ku do të zhvillohet kjo sfidë pritet të bëhen publike në ditët në vijim, por njoftimi ka ndezur menjëherë entuziazmin mes tifozëve të boksit. Fury nuk e fshehu emocionin për rikthimin e tij, duke theksuar se boksi mbetet pasioni i tij i madh:

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po kthehem. Zemra ime ka qenë gjithmonë në boks dhe gjithmonë do të jetë aty. Thuajini mbretit se ‘Gypsy King’ është rikthyer”, u shpreh britaniku.

Nga ana tjetër, Makhmudov, një boksier rus që jeton në Kanada, konsiderohet një prej emrave më të rrezikshëm në peshat e rënda. Ai ka pësuar shumë pak humbje në karrierë dhe vetëm ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë. Në ndeshjen e fundit, Makhmudov zhvilloi një paraqitje bindëse duke dominuar britanikun e njohur Dave Allen në Sheffield.

Edhe rusi e pranoi rëndësinë e përballjes:

“Është një mundësi e madhe për mua. Po vij për të luftuar dhe për të dhënë maksimumin. Tyson Fury ka qenë një kampion i jashtëzakonshëm, por unë do të jem i përgatitur si kurrë më parë për të marrë një fitore të madhe”, deklaroi Makhmudov.

Kjo përballje pritet të jetë një nga eventet më të mëdha të pranverës në botën e boksit.