‘Ylli’ i Spanjës vazhdon të vuajë nga pubalgjia, pjesëmarrja në Botëror në dyshim
Sulmuesi i Athletic Bilbao-s, Nico Williams, ende po përballet me probleme të pubalgjisë, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm formën e tij, por edhe shanset për të marrë pjesë në Botërorin 2026, raporton Marca.
Williams, i cili u renditet i 15-ti në garën për Topin e Artë 2024, nuk ka arritur të shfaqë nivelin e tij më të mirë këtë sezon. Trajneri Ernesto Valverde konfirmoi para sfidës me Sporting Lisbonën: ‘Aktualisht ai nuk është në formë’.
Pavarësisht periudhave të pushimit, trajtimeve specifike dh programeve parandaluese, dëmtimi vazhdon ta pengojë lojtarin. Situata e komplikuar po e detyron Williams-in të marrë në konsideratë të gjitha opsionet, përfshirë edhe një ndërhyrje kirurgjikale, megjithëse kjo do të ishte e fundit dhe nuk do të përshpejtonte domosdoshmërisht rikuperimin.
Trajtimi konservativ mbetet rruga kryesore, duke ndjekur shembujt e Sancet dhe Dani García, të cilët u rikuperuan nga probleme të ngjashme pa kirurgji.
Ky sezon ka qenë i vështirë për Williams: ai humbi Superkupën, ka luajtur vetëm në tri ndeshje të Champions League dhe në 17 ndeshje kampionati ka shënuar katër gola.
Problemet me pubalgjinë kërcënojnë jo vetëm sezonin e tij me klubin, por mund të ndikojnë edhe pjesëmarrjen në Botëror, duke e lënë të pasigurt rikthimin e plotë të tij në nivelet më të larta.