PS kalon në mesnatë, ndryshimet në Kodin Penal - Dekriminalizim shpifjes veç për gazetarët në regjistrin e Ramës

Përkundrejt kundërshtive dhe thirrjeve të shoqatave të gazetarëve për tërheqjen e ndryshimeve në Kodin Penal, për të ashtuquajturin dekriminalizim të shpifjes, mazhoranca socialiste i miratoi ato në mesnatë me votat e saj në Kuvend.

Mazhoranca refuzoi edhe amendamentet e PD-së për heqjen e shpifjes si vepër penale, duke i dhënë dritën jeshile me 85 vota pro ndërhyrjeve në Kodin Penal. Ky projektligj është kritikuar ashpër nga organizatat e medias dhe opozita, pasi synon të krijojë një regjistër të posaçëm për regjistrimin e gazetarëve, duke bërë një dekriminalizim të pjesshëm, vetëm për ata reporterë që janë pjesë e regjistrit të diktuar nga qeveria Rama.

Pas votimit në Kuvend, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, që përfshin disa nga organizatat më të njohura të mediave në kontinent, e cila thotë se projektligji nuk është dekriminalizim i shpifjes, por një manovër e qeverisë që bie ndesh me standardet e BE-së.

Për sa kohë shpifja mbetet një vepër penale, ajo ka efekt frikësues mbi gazetarët, aktorët e shoqërisë civile, aktivistët, denoncuesit dhe të tjerët që monitorojnë interesin publik. Teksti aktual parashikon një përjashtim të kufizuar, të bazuar në status, nga përgjegjësia penale, i aplikueshëm vetëm për gazetarët e përshkruar si “të regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm në lidhje me shpifjen, ndërsa ofendimi mbetet vepër penale. Kjo qasje ngre shqetësime lidhur me sigurinë juridike, mbrojtjen e barabartë të lirisë së shprehjes dhe efektin frikësues të vazhdueshëm të ligjit penal mbi debatin publik.

Sipas Federatës Evropiane të Gazetarëve, referencat për “gazetarë të regjistruar dhe të njohur” janë problematike në një kontekst ku Shqipëria nuk ka një sistem formal për regjistrimin e gazetarëve dhe ku mekanizma të tillë do të ishin të papajtueshëm me standardet evropiane mbi lirinë dhe pavarësinë e mediave.