VIDEO - Trafik droge drejt Italisë/ GJKKO dënon Moisi Habilajn me 10 vite burg, kushëririn e ish ministrit Tahiri
Gjykata Kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka dënuar me 15 vite burg, Moisi Habilajn, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar drogë, teksa për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të kryejë vetëm 10 vite burg.
Moisi Habilaj u shpall fajtor për katër episode trafiku droge në Shqipëri dhe Itali gjatë viteve 2013-2017, ndërsa Seiti për katër episode drejt Italisë.
Ndërkohë , Nezar Seiti, i cilësuar si ‘financieri’ i grupit Habilaj që përmbyti me kanabis Italinë , u dënua me 12 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar duhet të kryej 8 vite heqje lirie.
Nga ana tjetër është pushuar çështja për dy persona të tjerë, Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn.
GJKKO njofton se kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Vuajtja e dënimit do të fillojë menjëherë dhe do të zhvillohet në burgje me siguri të lartë, ndërsa vendimi përfundimtar vlerëson përgjegjësinë e plotë të Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në trafikun e drogës drejt Europës.
Kujtojmë se Moisi Habilaj është kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u akuzua se favorizonte këtë grup kriminal.
Ishte dosja e ardhur nga partnerët italiane që fundosi grupin Habilaj, teksa audio-përgjimet zbardhën edhe rolin e Saimir Tahirit, ndaj të cilit nisi një hetim dhe në Shqipëri, ku në fund u dënua për shpërdorim detyre.
Nga ana tjetër dosja Habilaj, ekspozoi dhe inkriminimin e Policisë së Shtetit në trafikun e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Moisi Habilaj, Nezar Seiti, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulaj (alias Meridian Sulaj)”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole, me vendimin nr. 6, datë 23.01.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Moisi Habilaj për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë (për episodin e datës 18.10.2017), parashikuar nga neni 283/a paragrafi i parë, neni 28 pika 4 dhe neni 22 i K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334 pika 1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Moisi Habilaj për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal (për episodet e zhvilluara në Itali me datë 25.10.2013, 27.02.20214, 29.07.2014 dhe 08-09.05.2015), parashikuar nga neni 283/a paragrafi i parë, neni 28 pika 4 i K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334 pika 1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Moisi Habilaj për kryerjen e veprës penale për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Moisi Habilaj dënohet me 15 vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Moisi Habilaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burgim.
6. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të vendimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Nezar Seiti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal (për episodet e zhvilluara në Itali me datë 25.10.2013, 27.02.20214, 29.07.2014 dhe 08-09.05.2015), parashikuar nga neni 283/a paragrafi i parë, neni 28 pika 4 i K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334 pika 1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 vjet burgim.
8. Pushimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Nezar Seiti për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i 2 të K.Penal për shkak se në bazë të nenit 387 pika 1 dhe 328 pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale, ndjekja penale nuk duhet të vazhdonte pasi me vendim të formës së prerë i pandehuri Nezar Seiti është dënuar për të njëjtin fakt penal.
9. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Nezar Seiti i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burgim.
10. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të vendimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
11. Pushimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Fatmir Minaj për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal (për episodet e zhvilluara në Itali me datë 25.10.2013, 27.02.20214, 29.07.2014 dhe 08-09.05.2015), parashikuar nga neni 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të K.Penal për shkak se në bazë të nenit 387 pika 1 dhe 328 pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale, ndjekja penale nuk duhet të vazhdonte pasi me vendim të formës së prerë i pandehuri Fatmir Minaj është gjykuar për të njëjtin fakt penal.
12. Pushimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Fatmir Minaj për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i 2 të K.Penal për shkak se në bazë të nenit 387 pika 1 dhe 328 pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale, ndjekja penale nuk duhet të vazhdonte pasi me vendim të formës së prerë i pandehuri Fatmir Minaj është gjykuar për të njëjtin fakt penal.
13. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale heqjen e masës së sigurimit “Arresti në burg” të caktuar ndaj të pandehurit me vendimin Nr.192, datë 26.12.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
14. Pushimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Maridian Sulaj (alias Meridian Sulaj) për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal (për episodet e zhvilluara në Itali me datë 25.10.2013, 27.02.20214, 29.07.2014 dhe 08-09.05.2015), parashikuar nga neni 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të K.Penal për shkak se në bazë të nenit 387 pika 1 dhe 328 pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale, ndjekja penale nuk duhet të vazhdonte pasi me vendim të formës së prerë i pandehuri Maridian Sulaj është dënuar për të njëjtin fakt penal.
15. Pushimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Maridian Sulaj për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i 2 të K.Penal për shkak se në bazë të nenit 387 pika 1 dhe 328 pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale, ndjekja penale nuk duhet të vazhdonte pasi me vendim të formës së prerë i pandehuri Maridian Sulaj është dënuar për të njëjtin fakt penal.
16. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale heqjen e masës së sigurimit “Arresti në burg” të caktuar ndaj të pandehurit me vendimin Nr.192, datë 26.12.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
17. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “a” e K.Pr.Penale dhe neni 36 të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, mjet lundrues gomone, me mbishkrimin “Ëave”, mbi të cilin ndodhej një motorr bashkë me karelin metalik, i cili kishte të montuar dy goma, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit.
18. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve të deklaruar fajtor në mënyrë solidare.
19. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Tiranë, më datë 27.01.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar