Plagosja në Shijak për një vajzë/ Dy kushërinjtë ende në arrati

Një konflikt me pasojë plagosjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shijak.

Sipas raportimeve nga policia, gjithçka nisi për shkak të tensioneve mes disa të rinjve lidhur me një marrëdhënie personale me një vajzë.

Sipas informacioneve të deritanishme, shtetasit Dorian Ferra, 35 vjeç, dhe kushëriri i tij, Indrit Ferra, 38 vjeç, janë konfliktuar me shtetasin Denis Cumani, 45 vjeç.

LEXO EDHE: Të shtëna me armë zjarri në Shijak, një i plagosur, në kërkim dy kushërinj

Burimet bëjnë me dije se konflikti ka nisur pas disa ngacmimeve të pretenduara të Denis Cumanit ndaj vajzës me të cilën dilte Dorian Ferra.

Pas zbardhjes së situatës, Dorian Ferra dhe kushëriri i tij kanë shkuar në banesën e Denis Cumanit, ku e kanë sulmuar fizikisht me grushte dhe shkelma dhe më pas e kanë plagosur me armë zjarri në brinjë.

I plagosuri është dërguar fillimisht në Spitalin e Durrësit dhe më pas, me urgjencë, në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka nisur procedurat për kapjen e dy autorëve, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes, dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.