Nga bizhuteritë te kasafortat/ Dënohet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë, terrorizuan Belgjikën
Tre shqiptarë janë dënuar në gjykatën e Bruges në Belgjikë për përfshirjen e tyre në një seri vjedhjesh dhe tentativash në Knokke-Heist, Maldegem dhe Koksijde. Në një periudhë të shkurtër kohore, ata kryen dymbëdhjetë vjedhje të suksesshme dhe pati edhe gjashtë tentativa të dështuara. Objektivi i tyre? Dhjetëra mijëra euro para të gatshme, një sasi e madhe bizhuterish dhe madje kasaforta të plota.
Nga Mathias Mariën, HLN
Katër vjedhje të suksesshme në Knokke-Heist, katër në Maldegem, dy në Koksijde, një në Puurs dhe një tjetër në Sint-Agatha-Berchem. Tre të akuzuarit ishin veçanërisht aktivë në vjeshtën e vitit 2023. Shtoni këtu edhe gjashtë tentativa të dështuara – shumica në Knokke-Heist – dhe kuptohet që trioja shkaktoi një valë të vërtetë vjedhjesh. Të gjitha së bashku, dymbëdhjetë vjedhjet dhe gjashtë tentativat u kryen midis dhjetorit 2022 dhe dhjetorit 2023, por veçanërisht në nëntor 2023 tre shqiptarët ishin shumë aktivë.
Të akuzuarit hynin në shtëpi dhe gjithmonë kërkonin sende me vlerë. Para së gjithash, para të thata. Gjatë sulmeve të tyre u vodhën dhjetëra mijëra euro cash. Por edhe bizhuteritë e shtrenjta ishin një objektiv i preferuar. Në dy raste, kur nuk mund të hapnin kasafortën, ata e morën të tërën me çfarë kishte brenda. Në disa vende u vodhën edhe video-lojëra të shtrenjta.
Autorët u vunë nën vëzhgim nga policia më 18 nëntor 2023 pas një vjedhjeje në Knokke-Heist. Makina e tyre u shfaq në pamjet e kamerave dhe më 8 dhjetor Volvo-ja u ndalua nga policia. Agjentët gjetën shumë mjete vjedhjeje në automjet dhe arrestuan shtetasen E.C. (28 vjeç). Gruaja ishte pas timonit, kurse dy shokët e saj shpëtuan nga policia. Hetimet e mëtejshme e lidhnin makinën me një seri të tërë vjedhjesh dhe grabitjesh.
Telefonatë nga Shqipëria
Gruaja 28-vjeçare u paraqit e vetme para gjykatës; dy shokët e saj munguan në proces. Gjatë dëshmisë, ajo tregoi një histori sikur kishte marrë një telefonatë nga Shqipëria për të kryer një “shërbim”. Ky “shërbim” ishte të transportonte dy shokët e saj që kishin shpëtuar. Një histori e pabesueshme, pasi hetimet treguan se ata njiheshin dhe kishin kontakte në Bruksel.
Gjykata i kushtoi pak kohë deklaratave të gruas, por megjithatë duhej ta lironte nga tetë prej veprave të paraqitura për shkak të mungesës së provave që të tregonin se ajo ishte pas timonit në çdo vjedhje dhe tentativë. “Synonin përfitim të shpejtë dhe të lehtë në kurriz të viktimave të pafajshme”, tha gjykata. Gruaja u dënua me 30 muaj burg. Dy shokët e saj u dënuan në mungesë me 37 muaj burg.