'Pasqyra' me inteligjencë artificiale po ndryshon mënyrën si personat e verbër e 'shohin' veten
Inteligjenca artificiale po u jep personave të verbër diçka që për dekada ka qenë e paarritshme, reagim vizual për pamjen e tyre fizike.
Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që “shohin” veten. Por krahas fuqizimit, po shfaqen edhe pasoja emocionale dhe psikologjike që ende nuk janë studiuar mjaftueshëm.
Sipas një artikulli të BBC-së, aplikacione të bazuara në AI, si Be My Eyes, Envision apo Aira Explorer, po funksionojnë si një lloj “pasqyre digjitale”. Përmes përshkrimit të fotove, këto mjete u tregojnë përdoruesve të verbër si duken: nga gjendja e lëkurës, rregullimi i flokëve, deri te kombinimi i rrobave apo shprehja e fytyrës.
Një grua plotësisht e verbër, autore e rrëfimit në BBC, tregon se çdo mëngjes ndjek një ritual të kujdesit për lëkurën dhe më pas bën foto që ia dërgon aplikacionit për t’i analizuar.
“Është si të kem një pasqyrë”, shprehet ajo. Për herë të parë, pamja e jashtme nuk është vetëm një ide abstrakte, por informacion konkret.
Fuqizim, por edhe presion i ri
Lucy Edwards, content creator dhe aktiviste e verbër, e cila u bë e njohur duke mësuar persona të tjerë të verbër si të bëjnë grim, thotë për BBC se IA ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën si ata e përjetojnë veten.
“Për vite të tëra na është thënë se bukuria jonë është e brendshme, sepse nuk mund ta shohim veten. Papritur kemi akses në të gjithë këtë informacion dhe kjo na ndryshon jetën”, tha ajo.
Por ekspertët paralajmërojnë se kjo “pasqyrë tekstuale” mund të sjellë edhe pasoja negative.
Helena Lewis-Smith, studiuese e psikologjisë së imazhit trupor në Universitetin e Bristolit, shpjegon për BBC se sa më shumë reagime dhe krahasime merr një person për trupin e tij, aq më e ulët mund të jetë kënaqësia me pamjen.
“IA po e hap këtë derë edhe për personat e verbër”, thekson ajo.
Disa aplikacione madje ofrojnë vlerësime sipas standardeve tradicionale të bukurisë, krahasime me persona të tjerë, apo sugjerime se çfarë “duhet ndryshuar”. Për disa, kjo është çliruese. Për të tjerë është tronditës.
Standardet e bukurisë dhe paragjykimet algoritmike
Sipas BBC-së, një nga problemet kryesore është se modelet e inteligjencës artificiale shpesh reflektojnë standarde të idealizuara, eurocentrike dhe të ngushta të bukurisë, për shkak të të dhënave me të cilat janë trajnuar. Kjo mund të krijojë presion të ri psikologjik, veçanërisht për persona që nuk kanë pasur më parë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj imazheve vizuale dhe krahasimeve të vazhdueshme.
Meryl Alper, studiuese e medias dhe aftësisë së kufizuar në Universitetin Northeastern në SHBA, thekson për BBC se imazhi trupor nuk është thjesht çështje pamjeje.
Ai varet nga konteksti, përvoja, krahasimet dhe aftësitë e trupit, elemente që IA aktualisht nuk i kupton dhe nuk i përfshin në përshkrimet e saj.
Një tjetër shqetësim janë të ashtuquajturat “halucinacione” të IA-së, raste kur sistemi përshkruan detaje që nuk ekzistojnë.
BBC sjell shembullin e Joaquín Valentinuzzi, një i ri i verbër që përdori IA për të zgjedhur foto për një aplikacion takimesh. Përshkrimet, sipas tij, herë pas here ishin të pasakta dhe kjo i shkaktonte pasiguri.
Disa platforma kanë futur mundësinë e verifikimit nga agjentë njerëzorë, por në shumicën e rasteve, “pasqyra” mbetet plotësisht algoritmike.
Ekspertët bien dakord se kjo teknologji është ende në fazat e para dhe mungon kërkimi i thelluar mbi ndikimin afatgjatë të saj në shëndetin mendor të personave të verbër.
Megjithatë, për shumë prej tyre, përvoja është njëkohësisht fuqizuese dhe hutuesе.
Siç përmbyll Lucy Edwards në BBC, “IA tani mund të më tregojë si dukesha pranë bashkëshortit tim ditën e dasmës. Ne do ta marrim këtë si diçka pozitive. Janë gjëra që mendonim se i kishim humbur përgjithmonë, dhe tani teknologjia po na i kthen.”
Për mirë apo për keq, pasqyra me inteligjencë artificiale tashmë ekziston dhe shoqëria po mëson si të jetojë me reflektimin që ajo ofron.