Dy tifozë përfunduan në spital, Chelsea u bën apel mbështetësve në prag të ndeshjes në Napoli
Chelsea ka lëshuar një apel zyrtar për tifozët e tij që do të udhëtojnë drejt Napolit, në prag të përballjes së fundit të fazës së grupeve të UEFA Champions League ndaj SSC Napolit. Klubi londinez ka kërkuar që mbështetësit të tregohen “jashtëzakonisht të kujdesshëm”, pas një incidenti serioz të ndodhur në qytetin italian.
Sipas njoftimit të publikuar nga Chelsea në rrjetet sociale, dy tifozë të skuadrës angleze janë shtruar në spital pas një ngjarjeje të ndodhur të martën në mbrëmje në Napoli. “Klubi është informuar për një incident që ka ndodhur të martën në mbrëmje në Napoli. Dy tifozë janë hospitalizuar me lëndime që, fatmirësisht, nuk rrezikojnë jetën”, thuhet në deklaratën zyrtare të ‘Blues’.
Chelsea ka shfrytëzuar rastin për t’u rikujtuar të gjithë tifozëve që do të ndodhen në qytet të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të tregohen maksimalisht të kujdesshëm gjatë qëndrimit të tyre. “Klubi dëshiron t’u rikujtojë të gjithë tifozëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në qytet dhe të kenë parasysh këshillat që u janë dhënë përpara kësaj ndeshjeje”, vijon më tej komunikata.
Ndeshja Napoli–Chelsea do të zhvillohet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, në kuadër të javës së tetë dhe të fundit të fazës së kampionatit të Champions League. Përballja është vendimtare për të dyja skuadrat: Chelsea synon të sigurojë një vend mes tetë më të mirëve për t’u kualifikuar direkt në 1/8-at e finales, ndërsa Napoli lufton për të hyrë në zonën e playoff-it.
Një duel me peshë sportive të madhe, por i shoqëruar edhe nga masa të shtuara sigurie, pas incidentit që ka ngritur shqetësime në kampin anglez.