Champions League/ Katër ekipet italiane mes playoff-it dhe ëndrrës së 1/8-ave
Para xhiros së fundit të fazës së grupeve në Champions League, realiteti për futbollin italian është i ashpër: asnjë nga katër skuadrat italiane nuk ndodhet aktualisht mes tetë vendeve të para, pozicion që siguron kualifikimin direkt në 1/8-at e finales. Të gjitha ndeshjet e mbrëmjes së sotme do të luhen njëkohësisht në orën 21:00, me Interin, Juventusin, Napolin dhe Atalantën që shpresojnë të paktën të mbeten brenda 24 vendeve të para për të siguruar playoff-in.
Situata e Interit dhe Juventusit paraqitet mjaft e ndërlikuar. Rënia e ndjeshme e rezultateve në javët e fundit ka ulur në minimum shanset për kualifikim direkt. Interi, i drejtuar nga Chivu, vjen pas tri humbjeve të rënda dhe tani duhet të përballet me “murin e verdhë” të Dortmundit, duke shpresuar edhe në kombinime të favorshme.
Juventus, ndonëse e ka siguruar tashmë playoff-in, e sheh kualifikimin direkt si një mision pothuajse të pamundur. Bardhezinjtë e Spallettit duhet jo vetëm të mposhtin Monaco-n, por edhe të shpresojnë në rezultate negative për shumë rivalë.
Akoma më dramatike është situata e Napolit. Skuadra e Antonio Contes përballet me Chelsea-n në një ndeshje “jetë a vdekje”, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë zonës playoff për shkak të golavarazhit. Përveç prestigjit sportiv, në lojë janë rreth 11 milionë euro dhe bonuse të tjera të rëndësishme financiare. Një eliminim do të ishte goditje e rëndë për klubin, sidomos në një moment të vështirë të shoqëruar nga dëmtimet.
Në këtë panoramë, Atalanta duket ajo me rrugën disi më të lehtë, përballë Union SG, me objektivin për të siguruar një pozicion sa më të favorshëm në playoff.
Mbrëmja e sotme nuk vendos vetëm fatin e klubeve, por edhe të Serie A në renditjen UEFA-s, ku Italia ka rënë në vendin e pestë. Një natë ku fitorja nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri për të mos mbetur jashtë elitës së futbollit evropian.