'Ata ishin të lumtur që do ndiqin PAOK-un'/ Dëshmitarët: Dhimbje për humbjen e 7 tifozëve në aksidentin me makinë në Rumani

Një udhëtim që duhej të ishte festë për futbollin u kthye në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit për tifozërinë e PAOK-ut. Shtatë tifozë grekë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë në një aksident rrugor në Rumani, gjatë udhëtimit të tyre drejt Lionit të Francës, ku të enjten pritej të ndiqnin ndeshjen e ekipit të tyre të zemrës.

Aksidenti ndodhi pasditen e djeshme në qarkun Timiş, në rrugën DN6 – E70, pranë qytetit Lugojelul, në hyrje të unazës së Lugojit. Një kamera e instaluar në një kamion që po lëvizte në të njëjtën rrugë ka regjistruar momentin tronditës të përplasjes.

Sipas pamjeve, furgoni i zi, ku udhëtonin dhjetë tifozë të PAOK-ut, kishte parakaluar kamionin dhe po përpiqej të kthehej në korsinë e djathtë. Për arsye ende të paqarta, mjeti devijon papritur në korsinë e kundërt dhe përplaset ballë për ballë me një kamion që vinte përballë.

LEXO EDHE: EMRAT/ Aksidenti tragjik me 7 viktima në Rumani, në furgonin me tifozë edhe dy shqiptarë

Përplasja ishte jashtëzakonisht e dhunshme. Furgoni u hodh jashtë rruge, ndërsa objekte të shumta u shpërndanë në asfalt. Si pasojë e përplasjes, gjashtë pasagjerë humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një i shtatë ndërroi jetë më vonë në ambulancë.

Tre tifozë të tjerë mbetën të plagosur dhe po trajtohen në një spital në Timishoara. Sipas informacioneve zyrtare: tre nga viktimat ishin nga Aleksandria, dy nga Katerini, dhe dy nga Selaniku.

Gjendja e tre të plagosurve konsiderohet e qëndrueshme, megjithëse njëri prej tyre ndodhet në terapi intensive me fraktura të shumta dhe dëmtime në mushkëri.

LEXO EDHE: Tifoz i zjarrtë i PAOK/ Ky është shqiptari që humbi jetën në aksidenti tragjik në Rumani

Pronari i një taverne lokale, Sakis Lagogiannis, tregoi se dy nga viktimat kishin qenë në lokalin e tij vetëm një natë më parë, plot gëzim dhe entuziazëm për udhëtimin:

“Nuk kanë humbur kurrë një ndeshje të PAOK-ut, as jashtë vendit. Ishin tifozë që nga fëmijëria. Njëri prej tyre ishte edhe punonjësi im.”

Jashtë stadiumit Toumba në Selanik, flamujt e PAOK-ut u ulën në gjysmështizë. Qindra tifozë u mblodhën për të vendosur qirinj, lule dhe shalle të ekipit, duke krijuar një altar të improvizuar zie.

Në mbrëmje, trajneri i PAOK-ut, Razvan Lucescu, së bashku me lojtarë dhe drejtues të klubit, mbërriti në stadium për të nderuar viktimat.

Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka aktivizuar mekanizmat konsullorë për identifikimin dhe riatdhesimin e trupave. Konsulli grek dhe përfaqësues të ambasadës ndodhen në Rumani për të mbështetur të plagosurit dhe familjet e viktimave.

Përgatititi: Syri.Net