‘Shembja e TK, krim ndaj historisë’/ Rrëfimi i inxhinierit Sakiqi, nga elita e viteve '30, te persekutimi i arkitektëve
Në këtë intervistë ekskluzive në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, inxhinieri i njohur Orhan Sakiqi sjell një dëshmi të rrallë mbi historinë e familjes së tij, zhvillimin urban të Tiranës dhe dramat politike që goditën arkitektët dhe inxhinierët nën regjimin komunist.
Sakiqi rrëfen me detaje për prindërit e tij të shkolluar në perëndim, fatin tragjik të babait oficer që mbeti pa varr, dhe nënën e diplomuar në Institutin Kyrias.
Më tej, ai ndalet te bashkëpunimi me emra të mëdhenj si Petraq Kolevica dhe Maks Velo, duke treguar prapaskenat e ndërtimit të veprave ikonike si Pallati i Sportit 'Asllan Rusi' dhe goditjen që mori grupi i projektuesve në vitin 1975 për shfaqje 'moderniste'.
Në një tjetër peng të tij, inxhieri Orhan Sakiqi shpreh indinjatën e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ai zbulon se si një grup prej 50 inxhinierësh kishin firmosur një peticion ku argumentonin se godina nuk kishte rrezik shembjeje dhe mund të restaurohej.
Për Sakiqin, Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një godinë, por një institucion ku u formësua kultura dhe historia moderne e Shqipërisë, përfshirë Gjyqin Special të vitit 1945, dhe humbja e tij është e pariparueshme.
Intervista përmbyllet me një analizë kritike për Tiranën e sotme, humbjen e vilave historike, shembjen e Teatrit Kombëtar dhe kaosin urban që ka fshirë kujtesën kolektive të qytetit.