'Nuk ka arritur të sigurojë as një vizitë në Amerikë/ Kalemaj: Rama po tenton lobim pas sinjaleve nga SHBA

Politologu Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin e Adi Krastës në Syri TV, deklaroi se Shqipëria ka shumë pak hapësirë manovrimi në një botë gjithnjë e më shumëpolare, ku përplasjet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian krijojnë ndasi të forta edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Shqipëria gjendet mes dy “gjigandëve”: SHBA-së, që garanton sigurinë, dhe BE-së, që përfaqëson trajektoren ekonomike dhe integruese të vendit. Ai theksoi se roli i Shqipërisë në skenën globale duhet parë me realizëm dhe modesti, pasi vendet e vogla kanë ndikim të kufizuar në vendimmarrjet e mëdha gjeopolitike.

Kalemaj u ndal edhe te perceptimi se politika amerikane mund të ndikohet përmes lobimit apo praktikave korruptive, duke përmendur çështjen “McGonigal”. Ai theksoi se në SHBA lobimi është i rregulluar me ligj (përfshirë ligjin FARA) dhe se ekzistojnë mekanizma të fortë kontrolli dhe balancash institucionale, duke hedhur poshtë idenë se vendimmarrja amerikane mund të manipulohet lehtësisht nga aktorë të jashtëm.

Në analizën e tij, ai vuri në dukje mungesën e një vizite zyrtare të kryeministrit Rama në SHBA gjatë kësaj periudhe, si dhe disa sinjale diplomatike që, sipas tij, janë lexuar politikisht në Tiranë. Ai përmendi gjithashtu ftesën për “Bordin e Paqes”, duke theksuar se nuk është një iniciativë e dedikuar posaçërisht për Shqipërinë, por një ftesë e gjerë për shumë shtete.

Në planin e brendshëm, Kalemaj kritikoi atë që e quajti rreshtim të një pjese të intelektualëve dhe aktorëve publikë në krah të pushtetit, sidomos në sisteme që ai i cilësoi si “demokraci hibride”. Ai argumentoi se intelektuali i vërtetë duhet t’i kundërvihet pushtetit, duke sjellë si shembull Emil Zola dhe qëndrimin e tij në çështjen Dreyfus.

Më tej ai kritikoi reformën territoriale dhe administrative, duke pretenduar se është bërë në mënyrë të njëanshme dhe ka prodhuar deformim të përfaqësimit elektoral. Sipas tij, mazhoranca aktuale ka përfituar më shumë mandate sesa do t’i takonin proporcionalisht me votat e marra.

Kalemaj vijoi duke theksuar nevojën për më shumë kurajë qytetare dhe oponencë reale ndaj pushtetit, si element thelbësor për funksionimin e një demokracie të shëndetshme.

Kalemaj:

Së pari faleminderit Adi për ftesën, është gjithmonë kënaqësi të jesh në studion tuaj. Në lidhje me pyetjen, natyrisht është shumë sfiduese dhe presidenca Trump ka krijuar ndasi të forta, sikundër e kemi vënë re dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por natyrisht dhe atë që njihet gjithmonë e më tepër si çarja transatlantike. Natyrisht, e kapur mes dy gjigandëve, pra në njërën anë ke Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët garantojnë sigurinë, edhe në rajone të turbullta si ky i Ballkanit Perëndimor, dhe nga ana tjetër Bashkimit Europian, që është edhe trajektorja e jo vetëm e zhvillimit ekonomik, por edhe ylli polar i integrimit të Shqipërisë për vetë pozicionin gjeografik dhe orientimin gjeopolitik.

Natyrisht që vendet e vogla si Shqipëria kanë shumë pak, për të mos thënë aspak, mundësi manovrimi. Kjo, domethënë sepse shpeshherë përcillet një ide sikur gjithë debatet që ndodhin në Shtëpinë e Bardhë apo debatet mes të mëdhenjve, kanë në referencë Shqipërinë apo Ballkanin Perëndimor. Në fakt, ne jemi një pikë uji në oqean, aq më tepër në kushtet e botës aktuale, një botë shumëpolare, me sfera influence, me rikthimin e nocioneve të fuqisë dhe me rritjen e, jo vetëm të superfuqive, por dhe të atyre që njihen si fuqi të mesme, të cilat janë superfuqi rajonale. Kështu që në këtë sens duhet të jemi modest në lidhje me rolin dhe peshën dhe faktorin që mund të ketë Shqipëria.

Po natyrisht duhet të jemi dhe seriozë në lidhje me premtimet që bëjmë, qoftë përsa i përket audiencës vendase, sepse gjithmonë luhet politika e jashtme me idenë për të kapitalizuar politikisht brenda vendit. Nga ana tjetër tentohet të përcillet në media, dhe unë e pashë nuancat e asaj që përcolle ti te pyetja juaj, sikur politika amerikane është thjesht një mundësi për ta influencuar përmes rryshfetit apo përmes ë akteve të ndryshme, qoftë dhe të dhënies së territorit apo të akteve të tjera si çështja McGonigal për shembull, që na tregoi fare qartë që ishte një aferë korruptive dhe është duke u hetuar edhe tani që flasim. Por në fakt nuk funksionon kështu.

Natyrisht që ka lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që është i rregulluar me ligj, natyrisht që ka dhe një ligj që quhet FARA që rregullon agjentët e huaj që quhen dhe se si këta tentojnë të ndikojnë në politikëbërjen amerikane, por çdo gjë është e rregulluar, çdo gjë është transparente, ekziston ndarja e pushteteve, balanca dhe kontrolli reciprok mes tyre, ka institucione dhe natyrisht nuk mendoj që është kaq e thjeshtë që ai që ka në dorë gurin dhe arrën, në rastin konkret kryeministri Rama apo mazhoranca që qeveris, ka në dorë të bëjë shumëçka thjesht pa pyetur askënd në funksion të përllogaritjeve elektorale që kanë brenda vendit.

Mendoj që ky është më tepër një imazh që ata duan t'i japin, është një mesazh që ata duan të përcjellin, për të treguar që janë rezistentë ndaj erërave gjeopolitike. Për shembull, është fakt që zoti Rama nuk ka mundur të organizojë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk ka shkuar as në mbledhjen e përvitshme që bëhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në shtator, ku dërgoi presidentin Begaj.

Ka pasur dhe deklarata të kohëve të ndryshme, domethënë që vinin dhe nga Shtëpia e Bardhë, deklarata urimi flas, për pavarësinë e Shqipërisë apo nga sekretari Rubio dhe natyrisht këto nuk i janë adresuar zotit Rama dhe kanë përmendur popullin shqiptar dhe nga ana tjetër, në pjesën e dytë të fjalisë, kanë qenë deklarata që dënonin narkotrafikun. Pra këto kanë qenë disa mesazhe që mendoj që zoti Rama por dhe mazhoranca i kanë lexuar dhe janë duke tentuar forma të ndryshme lobimi, përfshirë dhe këtë bonusin që ju erdhi me Bordin e Paqes, i cili natyrisht nuk bëhet me funksion Shqipërinë. Shqipëria është një nga vendet të cilat mori ftesë. Mendohet, nuk dihet numri i saktë i vendeve që kanë marrë ftesë. Thonë që janë diku te 70, të tjerë thonë që është diku te 100 numri i shteteve.

Natyrisht shtetet anëtare të NATO-s, natyrisht shtetet që janë të afërta gjeopolitikisht me aleancën perëndimore të themi, pavarësisht se një pjesë e tyre e kanë pranuar ftesën, dhe një pjesë e kanë refuzuar atë për arsye të ndryshme, domethënë, përfshirë dhe vendet e Bashkimit Europian.

Në fakt, në përgjithësi ne kemi parë dhe nga shembuj të ndryshëm nga historia dhe nga bota, që intelektuali apo inteligjenca në përgjithësi, dhe këtu fus shoqërinë civile, median, aktorët publik, përgjithësisht janë, duhet t'i kundërvihen pushtetit, në mënyrë

Në vende pastaj me trajta gjysëm autoritarista, diktatoriale siç është Shqipëria, me demokraci hibride e të tjera e të tjera. Është e kundërta. Është një pjesë e mirë e atyre që janë aktorë publikë, rrjeshtohen pro qeverisë, gjë e cila është më e kollajta. Në momentin që ti rrjeshtohesh pro qeverisë, nuk po them në nivelin ordiner të patronazhistit, por dhe në një nivel të kamufluar, natyrisht që përfitimet janë të shumëllojta, të shumëllojshme.

Marrin trajta kamaleoni, pra janë gjithmonë me atë që është në pushtet dhe ai që është në pushtet nuk është asnjëherë gabim. Ndërkohë që kërkon kurajo të veçantë dhe janë disa figura të spikatura në fakt në Shqipëri, të cilët kanë qenë në mos opozitë, në oponencë me çdo lloj regjimi apo me këdo që ka qenë në pushtet dhe kjo kërkon një kurajo qytetare, kjo kërkon që të jetë, domethënë, se ne kemi një kuptim të gabuar të termit intelektual. Kujtojmë se kushdo që ka një formim universitar apo pasuniversitar, kushdo që ka një pozicion të jakave të bardha, siç quhet një profesion, atëherë ky është automatikisht një intelektual. Jo. Intelektual është dikush që i kundërvihet pushtetit.

Emil Zola me artikullin e famshëm J'accuse, që mori një pozicionim për çështjen Drefus në Francë, u bë i famshëm dhe i dha një kuptim këtij këtij termi, jo se ishte shkrimtar, një nga shkrimtarët më të mëdhenj që ka pasur Franca, ishte ai natyralist, por sepse mori një qëndrim publik për një çështje të shumëdiskutuar në favor të një personi i cili natyrisht më pas u shpall i pafajshëm. Pra, po ishte një moment kritik në historinë e Francës. Kështu që në këtë sens, kjo ishte modeli që unë mendoj që është shumë i nevojshëm për Shqipërinë dhe për vende si tonat, ku natyrisht ka përqëndrim pushteti dhe pushteti është aq arrogant sa mund të shpërfilli jo vetëm këta zëra, por shpërfill dhe opozitën politike, por shpërfill dhe çdo lloj grupimi i cili mundohet të bëjë oponencë.

Fjala bie vetëm në ditët e fundit, ne kemi parë akte arbitrare. Pra, kemi parë si për shembull, përjashtohet me forcë kartoni opozita nga reformat territoriale dhe administrative. Ndërkohë që dhe në 2014-ën kur është bërë kjo reformë, është bërë po në mënyrë të njëanshme, pa opozitën. Dhe kjo është një reformë kritike jo vetëm përsa i përket shpërndarjes së burimeve në territor, jo vetëm përsa i përket integrimit në Bashkimin Europian, ku rajonet marrin fokusin dhe vëmendjen kryesore për thithjen e fondeve, por është dhe një mekanizëm elektoral, i cili në rastin e Shqipërisë ka shërbyer si një salamandër elektorale apo për shprishje të qëllimt të rezultatit në favor të njërës palë.

E thënë fare thjeshtë për publikun, në qoftë se ne do kishim një situatë ndryshe, pra normale dhe jo një deformim të hartës elektorale përmes mekanizmit të ndryshimit të hartës territoriale administrative, mazhoranca aktuale me aq vota sa ka marrë, do kishte 73 deputetë dhe jo 83 plus tre, 86 deputetë në parlamentin aktual. Pra ka marrë shumë më tepër deputetë se ç'i takojnë në bazë të numrave që ajo ka marrë në kutitë e votimit, supozojmë sikur votimi është bërë korrekt dhe nuk ka pasur manipulime pastaj përmes trenit bullgar e të tjera e të tjera.