Amir Rrahmani mungon kundër Chelseat, por gati për Fiorentinën

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të rikthehet shumë shpejt në dispozicion të trajnerit të Napolit, Antonio Conte, duke dhënë sinjale pozitive për ndeshjen e radhës në Serie A ndaj Fiorentinës.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, kapiteni i “Dardanëve” ka shënuar përparim të dukshëm në procesin e rikuperimit dhe mund të jetë i gatshëm për sfidën që Napoli e zhvillon të shtunën, nga ora 18:00, në kuadër të xhiros së 23-të të kampionatit italian.

Megjithatë, Rrahmani nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë skuadrën në përballjen e së mërkurës ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve, duel në të cilin Conte ende nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tij.

Qendërmbrojtësi kosovar u dëmtua më 17 janar, gjatë ndeshjes kundër Sassuolos, duke pësuar një lëndim muskulor që e mbajti jashtë dy takimeve të fundit: atë ndaj Copenhagenit në Ligën e Kampionëve dhe supersfidën kundër Juventusit në Serie A.

Edhe në pjesën e parë të sezonit, Rrahmani kishte munguar në disa ndeshje për shkak të problemeve fizike, por pavarësisht kësaj, ai ka regjistruar 19 paraqitje dhe një gol në të gjitha garat deri tani.

Rikthimi i tij pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Napolin, i cili javët e fundit është përballur me mungesa të shumta për shkak të lëndimeve në repartet kyçe të skuadrës, ndërsa prania e Rrahmanit pritet t’i japë stabilitet mbrojtjes së kampionëve të Italisë.