Arbeloa para sfidës me Benficën: Mezi pres të përqafoj Mourinhon

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka folur me emocione të veçanta në prag të përballjes ndaj Benficës, ku për herë të parë do të jetë rival në pankinë me ish-trajnerin dhe mentorin e tij, Jose Mourinho.

Ndeshja e së mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve ka marrë vëmendje të madhe, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për historinë personale mes dy teknikëve.

Mourinho kishte deklaruar së fundmi se Arbeloa “mund të mos ketë qenë ndër lojtarët më të talentuar që ka pasur te Real Madridi, por ndoshta ka qenë një nga më të mirët”, fjalë që spanjolli i ka pritur me mirënjohje të madhe.

“Ka qenë një nder i jashtëzakonshëm të dëgjoja ato fjalë. Jam shumë emocional dhe i lumtur, sepse Jose ka qenë shumë më tepër se një trajner për mua. Në aspektin njerëzor ka pasur një ndikim vendimtar gjatë gjithë karrierës sime. Sot e konsideroj edhe një mik shumë të mirë. Mezi pres ta shoh dhe ta përqafoj”, u shpreh Arbeloa në konferencë për shtyp.

Edhe pse shpesh është cilësuar si një “dishepull” i Mourinhos, Arbeloa theksoi se nuk synon ta imitojë portugezin në rolin e trajnerit.

“Nuk do të ketë kurrë dikë si Jose Mourinho. Kushdo që përpiqet ta imitojë, do të dështojë. Suksesi im do të jetë të jem vetvetja. Sigurisht që ndikimi i tij është i madh – kam mësuar shumë prej tij, si në komunikim, ashtu edhe në aspektin taktik – por nesër do të jemi rivalë dhe të dy do të duam fitoren”, tha ai.

Arbeloa foli gjithashtu me respekt për të gjithë trajnerët që kanë ndikuar në karrierën e tij, duke përmendur Caparros, Benitezin dhe eksperiencën e rikthimit te Real Madridi.

Sa i përket raportit aktual me Mourinhon, trajneri i “Los Blancos” konfirmoi se kanë mbetur në kontakt, edhe pse jo shpesh.

“Është nga ata miq me të cilët mund të mos flasësh për muaj, por nëse e telefonon në orën 3 të mëngjesit, do të përgjigjet. Ky është Jose”, u shpreh Arbeloa.

Real Madridi ndodhet aktualisht në vendin e tretë në renditjen e Ligës së Kampionëve dhe ka shanse shumë të mira për kualifikim direkt në raundin e 1/8-ave.

Një fitore ose barazim ndaj Benficës do ta siguronte pothuajse plotësisht këtë objektiv, ndërsa ekziston edhe mundësia për ngjitje në vendin e dytë në rast gabimi të Bayern Munich ndaj PSV Eindhoven.