Çfarë turpi, dekriminalizimi dënoi edhe specialistë të thjeshtë, por gjyqtaren Irena Gjoka jo!

Nga Petrit Vasili

Ka ca të vërteta të rënda e flagrante, që e vënë sistemin e drejtësisë në një pozicion vërtet shumë të shëmtuar dhe antiligjor.
Dhe rasti i gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka është pikërisht rasti kur drejtësia demonstrohet totalisht e kapur dhe shërbëtore e neveritshme Rama-pushtetit.

Institucionet e drejtësisë me SPAK e me Prokurori e me KLGJ dridhen e përdredhen duke shkelur çdo ligj për të mos dënuar gjyqtaren Gjoka ku faktet janë kaq flagrante e trasha sa s’bëhet lidhur me të.

Institucionet shqiptare nuk kanë hezituar hiç fare të largojnë për shkak të dekriminalizimit deri edhe specialistë të thjeshtë, shefa sektori, drejtorë e sekretarë të përgjithshëm, por kur vjen rasti tek gjyqtarja Gjoka ekzekutuese e urdhrave politike për të dënuar pa fakte e prova liderat e opozitës, këtu drejtësia verbohet, shurdhohet, ngec e dhunon ligjet dhe nuk e largon gjyqtaren e kapur në shkelje skandaloze të ligjit të dekriminalizimit.
Plot 87 specialistë, 29 shefa sektori, 13 drejtorë i largon dekriminalizimi, ndërsa gjyqtaren Gjoka me disa mbiemra jo dhe jo këtë nuk e largojnë dot.

Është revoltues një qëndrim i tillë i pështirë, që për qëllime të ndyra politike i trajton njerëzit në dy kategori, ca që mund të dënohen fët e fët dhe Gjoka për të cilin mobilizohet gjithë drejtësia për ta mbrojtur.
Këta specialistë, shefa sektori e drejtorë të larguar plot 128 persona qenkan njerëz pa asnjë vlerë, ndërsa Gjoka paska vlera super të veçanta sepse i ka shërbyer pushtetit duke dënuar në mënyrë mafioze liderat e opozitës.

Ky është mesazhi më i poshtër që ky sistem i kapur dhe i degraduar drejtësie që kemi u dërgon qytetarëve të thjeshtë.
Ligji pra është sopatë për disa dhe qyrk i ngrohtë mbrojtës për disa të tjerë të lidhur me pushtetin e Ramës.
Kjo drejtësi, që prostituon me ligjin sipas urdhrave politike të Ramës dhe Ramaformës të ngjall vetëm pështirosje dhe zemërim të egër.

Gjoka-Drejtësia është një zhdrejtësi e turpshme që meriton veç përbuzje.