UEFA sqaron situatën e Kosovës para shortit të Ligës së Kombeve, nuk mund të përballet me Bosnjën
Në prag të shortit të Ligës së Kombeve për edicionin 2026-2027, UEFA ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me situatën e kombëtares së Kosovës.
“Dardanët” siguruan kualifikimin në Ligën B të Ligës së Kombeve pas fitores në ndeshjet “play-off” kundër Islandës, të zhvilluara në muajin mars të vitit të kaluar.
Kosova kishte garuar fillimisht në Ligën C, ku e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë, në një grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë, duke grumbulluar 12 pikë në gjashtë ndeshje.
Shorti për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të hidhet më 12 shkurt 2026, në Bruksel të Belgjikës, ku Kosova do të jetë pjesë e shortit si ekip i Ligës B.
Në të njëjtën ligë ndodhet edhe Bosnjë-Hercegovina, por dy kombëtaret nuk mund të përballen mes tyre për shkak të rregullave të UEFA-s.
Kjo situatë është sqaruar zyrtarisht nga shtëpia evropiane e futbollit.
“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, ekipet që nuk mund të jenë në të njëjtin grup janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4).
Përballjet e tjera të ndaluara nuk mund të ndodhin, pasi ekipet përkatëse nuk garojnë në të njëjtën ligë”, thuhet në njoftimin zyrtar të UEFA-s.
Ky sqarim i jep fund çdo dileme në prag të shortit, duke konfirmuar se Kosova do të shmangë një përballje të ndjeshme politike dhe sportive në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.