Bushkolaj: Mbrojtja e Ramës për Ballukun, skenar për të fituar kohë dhe qindra milionë euro
Kryeministri Edi Rama dyshohet se ka ngritur një mburojë të fortë mbrojtëse për ministren Belinda Balluku, duke e çuar strategjinë politike në një nivel më të lartë se në rastin e ish-ministres Olta Xhaçka.
Sipas analizave, kjo lëvizje nuk është vetëm një akt solidariteti politik, por një skenar i mirëmenduar për të fituar kohë në arenën ndërkombëtare dhe për të menaxhuar interesa që kapin shifra qindra milionëshe.
Rasti Balluku shihet si një përsëritje e përforcuar e mbrojtjes që iu bë Olta Xhaçkës, bashkëshorti i së cilës u shpall investitor strategjik në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë, ndryshe nga ai rast, mbrojtja për Ballukun cilësohet "më e fortë" pasi zhvillohet direkt në "paradhomën e kryeministrit".
Situata aktuale përshkruhet si një "luftë e hapur" e kryeministrit Rama për të mbrojtur Ballukun.
Objektivi duket të jetë zvarritja e proceseve me shpresën se balancat politike, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar, mund të ndryshojnë në favor të qeverisë.
Kjo strategji e blerjes së kohës shihet si thelbësore për interesat e maxhorancës.
Në qendër të debatit qëndrojnë akuza të rënda dhe shifra të konsiderueshme.
Ministrja Balluku, ndonëse është marrë e pandehur për korrupsion, raportohet se ka firmosur tendera me vlerë 100 milionë euro gjatë tre muajve të fundit, ndërkohë që ishte nën hetim.
Për më tepër, pritet që së shpejti t'i jepet drita jeshile një tjetër projekti madhor: dhënia me koncesion e Portit të Porto Romanos, një investim prej 400 milionë eurosh, një lobi të përshkruar si "greko-rus".
Ky zinxhir ngjarjesh po shihet si dëshmi e një "degradimi total të instancave", përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
Fakti që një çështje me implikime kaq të mëdha politike dhe financiare zvarritet në nivelin më të lartë të drejtësisë, konsiderohet një precedent i rrezikshëm.
Një situatë e tillë, vite më parë, do të konsiderohej e turpshme edhe për gjykatat e rretheve.
Kjo zvarritje, e kombinuar me kompleksitetin e çështjeve ligjore dhe efektin propagandistik, e bën të vështirë për publikun të kuptojë plotësisht gravitetin e situatës.
Në lidhje me këtë temë, gazetari Elkier Bushkolaj, në studion e “Taske Force” më Sonila Meçon në Syri Tv theksoi: “Unë besoj që jemi të paktën përballë një skenari të ngjashëm sa i përket marrjes në mbrojtje të Belinda Ballukut, vetëm se këtë herë marrja në mbrojtje është më e fortë, pasi po flasim për paradhomën e kryeministrit.
Pra, nëse për Olta Xhaçkën po flisnim për një firmë të Ramës për rreth 50 investitorë strategjikë, nga të cilët në kundërshtim me ligjin ishte dhe bashkëshorti i një ministres për investimin strategjik çuditërisht në Vlorë, atje ku tashmë kanë hequr dhe kadastrën pavarësisht investimeve strategjike.
Ndërkohë për Xhaçkën jemi, është situata pak më e komplikuar. Pasi, fund të ditës ka prova që vetë zoti Rama dhe zonja Xhaçka kanë qenë bashkë në atë takimin në Stamboll, është e faktuar dhe në dosje.
Përtej faktit që në seancën e fundit të Gjykatës Kushtetuese, prokurori ishte krejtësisht i qartë kur tha, ne kemi prova se si janë intimiduar dëshmitarë. Pastaj në të gjitha rastet, madje dhe për zotin Berisha, masa e sigurisë u justifikua dhe me pretendimin që mund të ndërhynte në prova pavarësisht se e kishte dorëzuar pushtetin po themi që në 2013-ën apo me zotin Meta, u përdor i njëjti argument.
Qartazi jemi përballë një lufte të hapur të zotit Rama për ta marrë në mbrojtje Belinda Ballukun për interesin e tij, por me sa duket për të fituar kohë edhe në rrafshin ndërkombëtar, me idenë që mund të ndryshojnë disa balanca, me idenë që mund të ndryshojë një lobist i ri dhe fiton kohë.
Është fatkeqësi që, është fatkeqësi që qytetarët edhe për efektin propagandistik që ka kjo maxhorancë, nuk janë të informuar se çfarë po ndodh realisht, pasi e kanë të vështirë t'i kuptojnë procedurat. Por nëse qytetarëve u thuhet qartë që një njeri që po akuzohet për korrupsion, tre muajt e fundit, është marrë i pandehur dhe ndonëse është në zyrë, tre muajt e fundit ka firmosur 100 milionë euro tendera dhe pritet që në 7 shkurt t'i bëjë një tjetër dhuratë siç është porti i Porto Romanos, 400 milionë euro në një lobi greko-rus, kam përshtypjen që janë pak më të ndërgjegjshëm.
Por duke pasur në anën e tyre pjesën propagandistike dhe faktin që qytetarët nuk i kuptojnë mirë çështjet ligjore dhe çështjet teknike, përpiqet që të fitojë kohë dhe mbi të gjitha demonstron edhe një herë atë degradimin total të të gjitha instancave.
Pra nuk e di se për çfarë mund të flasim kur ne diskutojmë për Gjykatën Kushtetuese në të tilla rrethana. Para disa vitesh do ishte e turpshme që të diskutohej për gjykatën e Shkodrës apo për një gjykatë në rrethe për një zvarritje të tillë vendimesh ku në lojë janë miliona euro”.