Kush është shteti që do ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 14 vjeç

Austria planifikon të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën moshën 14 vjeç deri në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor në vjeshtë, njoftoi Alexander Proll, sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore të vendit.

“Qëllimi ynë është të sigurohemi që të ndërmerren hapa konkretë për të zbatuar [ndalimin] para fillimit të vitit të ri shkollor. Hapi i parë, sipas mendimit tim, do të ishte formimi i një grupi ekspertësh dhe përfaqësuesish të partive politike. I dyti – dhe ne tashmë po e adresojmë këtë çështje prapa skenave – është zbatimi i masave dhe detajeve specifike teknike”, i tha ai stacionit radiofonik O1.

Ai tha se qeveria austriake do të ndjekë “shembullin e Australisë, ku përgjegjësia për zbatimin e ndalimit iu vu vetë platformave”.

Ndërkohë, partia NEOS, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, beson se ky veprim shkon shumë larg, duke propozuar një alternativë: verifikimin e llogarive të adoleshentëve në mediat sociale përmes Austrian ID, një aplikacion që u mundëson njerëzve të identifikohen në mënyrë të sigurt në internet dhe kështu të përdorin shërbime dixhitale dhe të kryejnë transaksione. Megjithatë, teknikisht, një zgjidhje e tillë nuk mund të zbatohet më herët se viti 2027, tha për radion Henrike Brandstotter, një anëtare e Këshillit Kombëtar (dhoma e ulët e parlamentit të Austrisë) nga partia NEOS