Milano–Cortina 2026, debat mbi praninë e agjentëve të ICE gjatë Lojërave Olimpike Dimërore
Nga Alba Kepi
Prania e mundshme e agjentëve të Immigration and Customs Enforcement (ICE) amerikane gjatë Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, ka hapur një debat të fortë politik dhe institucional në Itali.
Sipas asaj që ka deklaruar një zëdhënës i ICE për agjencinë franceze të lajmeve AFP, disa agjentë të kësaj agjencie amerikane do të kontribuojnë në mbështetjen e operacioneve të sigurisë së Shteteve të Bashkuara gjatë Olimpiadës. Në një deklaratë zyrtare thuhet se, gjatë Lojërave, ICE Homeland Security Investigations do të ofrojë mbështetje për Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe për vendin pritës, me qëllim verifikimin dhe reduktimin e rreziqeve që lidhen me organizatat kriminale transnacionale.
Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka shprehur një qëndrim të fortë kundër kësaj hipoteze. Sipas tij, ICE përfaqëson “një milici që hyn në shtëpitë e njerëzve duke firmosur vetë lejet”, duke shtuar se agjentët e kësaj agjencie nuk janë të mirëpritur në Milano. Sala ka theksuar se prania e ICE nuk është në përputhje me mënyrën demokratike se si Italia garanton sigurinë dhe ka shprehur shqetësim edhe për qëndrimin e ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, i cili sipas tij nuk ofron garanci të mjaftueshme për qytetarët italianë.
Ndërkohë, është nisur një peticion në Change.org për të mbajtur larg agjentët amerikanë nga eventi sportiv. Në vetëm dy ditë janë mbledhur mbi 16.700 firma, me kërkesën drejtuar Qeverisë italiane dhe Komitetit Organizator të Olimpiadës dhe Paralimpiadës Milano–Cortina 2026 për të përjashtuar çdo pjesëmarrje institucionale të ICE.
Sipas Francesco Ascioti, sekretar i “Milano in Azione” dhe promovues i nismës, Olimpiada është një ngjarje globale që duhet të bashkojë kombe dhe kultura përmes sportit, ndërsa prania e agjencive të kontestuara për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut rrezikon të cenojë vlerat universale olimpike.
Edhe Partia Demokratike ka shprehur shqetësim. Deputeti dhe përgjegjësi për sigurinë, Matteo Mauri, ka folur për mungesë koordinimi dhe qartësie nga ana e qeverisë, duke njoftuar se PD ka paraqitur një interpelancë parlamentare drejtuar ministrit të Brendshëm Piantedosi për të kërkuar sqarime të menjëhershme dhe përjashtimin e çdo pranie operative të ICE në territorin italian.
Nga ana e saj, Aleanca e Gjelbër dhe e Majta ka paralajmëruar protesta simbolike në Parlament, me deputetë që do të mbajnë gjatë punimeve të Dhomës një pin me mbishkrimin “ICE Out”, në vijim të formave të protestës që kanë marrë vëmendje edhe në ngjarje ndërkombëtare kulturore.
Qeveria italiane ka minimizuar polemikat. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, ka deklaruar se protestat e opozitës janë të pabazuara dhe ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për agjentë të angazhuar në rendin publik në rrugë.
Sipas Tajanit, siguria dhe rendi publik gjatë Olimpiadës do të garantohen nga autoritetet italiane, ndërsa bashkëpunimi me agjentët amerikanë do të jetë i kufizuar dhe teknik. Ai ka theksuar se prania e ICE do të përbëhej nga vetëm disa funksionarë dhe do të lidhej kryesisht me aspekte të antiterrorizmit dhe mbrojtjen e autoriteteve amerikane, siç ndodh zakonisht gjatë ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.
Në fund, ministri ka njoftuar se në ditët në vijim do të zhvillohet një takim mes ministrit të Brendshëm italian dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, ku do të diskutohet edhe çështja e pranisë së mundshme të agjentëve të ICE gjatë Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026.