SYRI TV/ Debate për buxhetin dhe vjedhjet qeveritare, Bardhi: Propagandë me qytetarët ndërsa i vidhni

Ndryshimet në aktin normativ për buxhetin e vitit 2025 shkaktuan debate të ashpra në Kuvend, lidhur me shpërdorimin e parave të qytetarëve dhe vjedhjet qeveritare. Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po mbron korrupsionin dhe vjedhjet e qeverisë Rama, duke mos i hequr imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa deputetja Jorida Tabaku denoncoi rënien e sistemeve digjitale pas skandalit të Akshit, ku miliona euro u vodhën nga ai që SPAK e cilëson si grup i strukturuar kriminal.

Disa ndryshime të qeverisë në aktin normativ për buxhetin e vitit 2025 sollën debate të forta në Kuvend, mes opozitës dhe mazhorancës, lidhur me shpërdorimin e parave publike të qytetarëve dhe vjedhjet qeveritare në tendera dhe afera korruptive. Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se paratë e pashpenzuara të institucioneve do të kalojnë në llogarinë e pensioneve.

Por opozita i cilësoi deklaratat e ministrit si propagandë, duke kujtuar miliona euro të taksapaguesve që janë shpenzuar për tendera korruptivë. Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, akuzoi kreun e Kuvendit dhe mazhorancën se po mbrojnë korrupsionin dhe vjedhjet e qeverisë Rama, duke mos i hequr imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila vazhdon të qëndrojë në detyrë, megjithëse është marrë e pandehur nga SPAK.

Një tjetër dosje korruptive e qeverisë Rama, ajo e Akshit, u kthye në kryefjalë të debateve në Parlament, mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimi. Tabaku u shpreh se sistemet digjitale kanë rënë, duke shkaktuar kolaps për bizneset, pasi fondet e Akshit u vidhen nga grupi kriminal, me në krye Ergys Agasin.

Deputetët e Partisë Demokratike denoncuan në Kuvend edhe mungesën e mbështetjes nga ana e qeverisë për fermerët dhe qytetarët në rastet e përmbytjeve.