'Fermerët në mëshirë të fatit', Mziu: 309 milionë euro për luksin e qeverisë, ndërsa shtresat vulnerabël lihen në mëshirë të fatit
Në një seancë të tensionuar parlamentare, deputeti i PD, Xhelal Mziu, ka shpërthyer me akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për menaxhim të dështuar të financave publike dhe për privilegje të pafundme ndaj grupeve të interesit. Gjatë fjalës së tij, Mziu e cilësoi aktin normativ të qeverisë, i cili përfshin një fond prej 309 milionë eurosh, si një mjet për të ushqyer "oreksin e qeverisë për korrupsion" dhe për të financuar luksin qeveritar, ndërkohë që sektori më i rëndësishëm për ekonominë, bujqësia, po lëngon për mbështetje.
Ai theksoi se, ndërsa borxhi për frymë është trefishuar në periudhën e qeverisjes socialiste, shtresat më vulnerabël të shoqërisë janë lënë në mëshirë të fatit, dhe asnjë ndihmë konkrete nuk është dhënë për të përballuar përmbytjet që shkatërruan 12,000 hektarë tokë bujqësore. Deputeti i PD-së ngriti shqetësime për rritjen e borxhit publik dhe theksoi se, pavarësisht premtimeve për ulje të tij, qeveria vazhdon të harxhojë miliona për projekte që vetëm pasurojnë elitën e ngushtë, pa sjellë dobi për qytetarët e zakonshëm.
Mziu nuk e kurseu as akuzën ndaj politikave të borxhit dhe taksave të reja, që, sipas tij, janë një goditje tjetër për qytetarët, ndërsa kompensohen me rritjen e çmimeve dhe varfërimin e shtresave të mesme dhe të varfra.
Fjala e tij:
Është kthyer parlamenti si kopsht pa bukë. Kur i teket spikerit apo zëvendës spikerit e mbyll dhe pastaj rikthehet sikur s'ka ndodhur asgjë. Kjo është ajo çfarë ka prodhuar kjo qeveri. Jemi sot për të diskutuar një akt normativ që nuk është i pari në vit, por sa herë që ndryshon oreksi i qeverisë për të bërë korrupsion, e ndryshon me akte normative. Ky akt normativ, me një vlerë prej rreth 309 milionë eurosh, nuk ka si qëllim rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, rritjen e të ardhurave, uljen e defiçitit apo borxhit publik, por për të dërguar paratë atje ku i intereson qeverisë për të pasur më shumë korrupsion dhe për të vendosur shtresat vulnerabël në pozita anormale.
Po të kujtojmë, 23% e investimeve publike janë realizuar në muajin dhjetor, sepse atëherë është mundësia më e mirë për të bërë korrupsion, për t'i shpëtuar syrit të prokurorisë apo të auditit. Të marrësh 309 milionë euro dhe t'i dërgosh për luks qeveritar është kriminale. Të marrësh 309 milionë euro dhe të mos i dërgosh për pensionistët, ku 55% e tyre marrin pension të pjesshëm dhe kanë pensionin më të ulët në rajon, është një padrejtësi. Ndonëse inflacioni dhe çmimet rriten, buxheti rritet, por në fakt ngel vendnumëro. Sa herë që ka fushatë elektorale, sjellin gjelin e fundvitit dhe asgjë më tepër.
Është kriminale që ky buxhet shkon për luksin qeveritar dhe nuk shkon për bujqësinë. Bujqësia është kontributori më i madh, por është e diskriminuar në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë dhe rajonin. Ekspertët tregojnë se 12,000 hektarë të përmbytura kanë një vlerë deri në 300 milionë euro, aq sa është vlera e këtij akti normativ. Nuk e kuptoj papërgjegjshmërinë e kësaj mazhorance që nuk i delegon këto fonde për bujqësinë.
Banka Botërore ngre shqetësimin që investimet në Shqipëri janë korruptive dhe inefektive. 1 km rrugë në Shqipëri ka një çmim shumë më të lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian, madje është rekord. Ky është realiteti që ka krijuar kjo mazhorancë. Në fakt prisja që ky akt normativ të shkonte për uljen e borxhit të shtetit. Por edhe me një borxh prej 53.5%, Shqipëria ka përqindjen më të lartë, përjashtuar Malin e Zi. Pjesa tjetër e rajonit ka borxhin shumë më të ulët. Dhe borxhi publik, kur përfshihen koncesionet, faturat dhe borxhet e brendshme, është mbi 73%.
Në vitin 2013, një qytetar shqiptar kishte borxh 1850 euro. Sot, ka mbi 6200 euro, tre herë më shumë se 12 vite më parë. Marrja e borxhit nuk ka shkuar për rritjen ekonomike, por për rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e situatës. Pavarësisht se pagat janë rritur, ato mbeten shumë më të ulëta se në vendet e tjera të Evropës. Në Shqipëri, inflacioni është ulur, por çmimet janë rritur.
Sot, 1 litër naftë në Shqipëri është 1.83 euro. Në Malin e Zi është 1.24 euro, në Kosovë 1.04 euro, dhe në Maqedoninë e Veriut 1.03 euro. Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë të naftës në rajon.
Mazhoranca ka miratuar shtatë ligje që rrisin taksat dhe tatimet. Ky ligj i ri, i miratuar dy vite më parë, do të rrisë taksat për banesat e parë dhe do të përbëjë një ngarkesë të madhe për qytetarët. Në Shtetet e Bashkuara, taksa mbi banesat është hequr, por në Shqipëri është dyfishuar.
Vetëm në Shqipëri ndodh që shtresat në nevojë janë sulmuar nga kjo qeveri për të rritur taksat, ndërsa oligarkët dhe grupet kriminale mbështeten vazhdimisht.