Si ta ndërtoni dhe ta përshtatni shtëpinë tuaj me ndryshimet klimatike

Valët e të nxehtit dhe zjarret në pyje, shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet - ngjarjet ekstreme të motit janë në rritje në shumë pjesë të botës.

Nuk mund të pritet që ndërtesat rezidenciale t'u rezistojnë forcave të natyrës nëse nuk janë përshtatur mirë me ndryshimet e klimës lokale.

Kjo e bën ndërtimin e shtëpive të përshtatshme për klimën, më të rëndësishme se kurrë. Çfarë përfshin kjo? Ja disa pyetje dhe përgjigje:

Çfarë është saktësisht ndërtimi "i përshtatshëm për klimën"?

"Së pari, zgjedhjet e reja të ndërtimit, duhet të synojnë të mos nxisin më tej ngrohjen globale nga emetimet e dioksidit të karbonit", thotë Alexander Steinfeldt, ekspert i energjisë dhe zëdhënës i co2online me seli në Berlin, një kompani konsulence jofitimprurëse. Së dyti, shtëpitë tona duhet të përshtaten me ndryshimet klimatike.

Me fjalë të tjera, ndërtimi i përshtatshëm për klimën do të thotë, planifikimi i ndërtesave të afta t'i rezistojnë ndryshimeve aktuale dhe të ardhshme klimatike, dhe ndërtimi i tyre në një mënyrë sa më miqësore me klimën.

A është kjo një ide e re?

Jo plotësisht. "Ndërtimi i përshtatur ndaj klimës, është në thelb po aq i vjetër sa vetë njerëzimi. Moti dhe klima kanë përcaktuar gjithmonë se ku dhe si të ndërtohet", thotë Markus Hennecke, anëtar i bordit ekzekutiv të Dhomës së Inxhinierëve Civilë të Bavarisë.

Kjo është arsyeja pse shtëpitë në male duken ndryshe nga ato në bregdet, dhe shtëpitë në Mesdhe nga ato në Veriun e Largët. Përshtatja e vazhdueshme ndaj ndryshimeve klimatike, siç janë erërat më të forta, reshjet më të dendura të borës dhe rritja e temperaturave, nuk është gjë e re.

"Por tani ekziston një dimension i tretë, përkatësisht ndërtimi me efikasitet të lartë të burimeve", thotë Hennecke. "Kjo do të thotë, ndërtimi dhe funksionimi i ndërtesave që shkaktojnë sa më pak emetime të gazrave serrë. Është një sfidë e re."

Ndërtimi i përshtatshëm për klimën është më shumë sesa thjesht të kesh panele diellore në çati dhe një pompë nxehtësie në bodrum. "Ai përfshin planifikim gjithëpërfshirës: Arkitektët, konsulentët e energjisë, fizikantët e ndërtimit dhe peizazhistët duhet të punojnë ngushtë së bashku që në një fazë të hershme", thotë Steinfeldt. 

Ata duhet të "marrin parasysh jetëgjatësinë e ndërtesës dhe të komponentëve të saj, si dhe kushtet lokale".

Si duhet që individët ta trajtojnë më mirë planifikimin e ndërtimit?

"Klientët që i kushtojnë shumë rëndësi ndërtimit të përshtatshëm për klimën, duhet të jenë vetë aktivë. Ata nuk mund të rezervojnë thjesht një paketë klimatike si një shtesë kur planifikojnë një shtëpi", thotë arkitekti Andreas Köhler, një konsulent për Aleancën e Ndërtuesve (BSB) me seli në Berlin. 

Idealisht, ata duhet të punësojnë një arkitekt ose planifikues të specializuar në këtë fushë, pastaj "të shkojnë direkt me specialistin në pronë dhe të nxjerrin përfundime", thotë Köhler.

Për shembull, nëse doni të ndërtoni pranë një lumi ose në shpatin e një kodre, të paktën duhet të siguroheni që bodrumi të jetë i papërshkueshëm nga uji ndaj presionit. Shtëpitë në shpatet e kodrave shpesh janë të ekspozuara ndaj thithjes së fortë të erës në ditët e sotme, kështu që ato duhet të projektohen për t'i bërë ballë asaj.

Orientimi i ndërtesës është gjithashtu i rëndësishëm. Nëse ajo është e ekspozuar ndaj dritës së diellit për shumë orë të ditës, do të ketë kosto më të ulëta ngrohjeje në dimër, por do të kërkohen masa për të zbutur rrezatimin diellor në verë, të tilla si tenda ose forma të tjera të mbrojtjes nga nxehtësia.

"Klienti duhet t'i diskutojë këto gjëra me arkitektin, përpara se të fillojë planifikimi i detajuar i ndërtimit", thotë Köhler.

A ka materiale ndërtimi që janë veçanërisht miqësore me klimën?

"Shumë energji shpenzohet për prodhimin dhe transportimin e materialeve konvencionale të ndërtimit, siç janë çimentoja dhe llaçi", vëren eksperti i energjisë Christian Handwerk. "Është më e qëndrueshme nga ana mjedisore të përdoren materiale të rinovueshme dhe natyrore, për shembull duke zëvendësuar pllakat e gipsit me pllaka ndërtimi prej argjile."

Steinfeldt thotë: "Sa i përket izolimit, ekzistojnë alternativa ekologjike ndaj plastikës, siç është kërpi ose celuloza. Këto materiale natyrore shpesh ofrojnë një klimë më të këndshme në dhomë, ruajnë dioksid karboni gjatë jetëgjatësisë së tyre dhe mund të riciklohen më lehtë më vonë."

Nëse po ndërtoni një shtëpi, çfarë tjetër duhet të merrni në konsideratë?

Një "shtëpi pasive" është veçanërisht efikase nga ana e energjisë. Steinfeldt e përshkruan atë si përdorim të nxehtësisë tashmë të pranishme - të gjeneruar nga njerëzit, makinat ose dielli - në mënyrë aq efikase saqë mezi nevojitet ndonjë ngrohje shtesë. Kjo kërkon izolim të jashtëzakonshëm, dritare hermetike dhe një sistem ventilimi që sjell ajër të pastër pa humbje të nxehtësisë.

Nëse ngrohja rezulton e nevojshme, ajo duhet të prodhohet duke përdorur burime të rinovueshme të energjisë, nëse është e mundur, për shembull, një pompë nxehtësie ose sisteme diellore termike. Panelet diellore mund të prodhojnë energji elektrike, dhe ajo që nuk përdoret menjëherë mund të ruhet.

Cilat janë avantazhet e ndërtimit të një shtëpie miqësore me klimën për ju?

"Ju përfitoni nga përdorimi i materialeve natyrore, konsumi i ulët i energjisë dhe një klimë e shëndetshme e brendshme", thotë Köhler, duke shtuar se kjo ju jep gjithashtu një ndjesi të mirë duke e ditur se shtëpia juaj është e pajisur mirë si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.

"Ka edhe një përfitim financiar", thotë Handwerk. "Shtëpitë miqësore me klimën me konsum të ulët energjie kanë një vlerë më të lartë afatgjatë, sesa ato të ndërtuara në mënyrë konvencionale."/ DPA News.